Është arrestuar në Gjermani autori i vrasjes së Briken Sanajt te Kodra e Diellit në Tiranë.
Është arrestuar në Gjermani një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Briken Sanajt më 30 tetor të 2022-shit brenda rezidencës së tij tek Kodra e Diellit.
Sipas policisë në pranga ka rënë Vladimir Kola.
41-vjeçari Vladimir Kola mësohet se është lokalizuar në qytetin Gelsenkirchen dhe u vendos në pranga më qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Vladimir Kola ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës më 23 nëntor 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Për vrasjen e Sinajt është arrestuar edhe një prej bashkëpunëtorëve, Gjelosh Krasniqi, ndërsa një tjetër është ende në kërkim. Krasniqi u arrestua në Kosovë më 1 shkurt 2023, ndërsa ai dyshohet se është personi që i ka dhënë makinën vrasësit Kola.
"Policia e Shtetit/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë, finalizohet operacioni policor i koduar “Versus”. I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, kapet në Gjermani, pas shkëmbimit të informacionit mes palëve, dhe arrestohet me qëllim ekstradimi në Shqipëri, 41-vjeçari.
Në vijim të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga DVP Tiranë dhe shkëmbimin e tyre në kohë reale, mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i përbashkët, i koduar “Versus”.
Në kuadër të këtij operacioni, është lokalizuar në qytetin Gelsenkirchen, Gjermani, dhe është arrestuar më qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi shqiptar V.(V.) K., 41 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datë 23.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Më datë 30.10.2022, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, shtetasi V.(V.) K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S. Vijon puna për ekstradimin e 41-vjeçarit, në Shqipëri", thuhet në njoftim.
Si ndodhi vrasja
Të paktën katër persona dyshohet se morën pjesë në atentatin e 30 tetorit. Vepruan me saktësi dhe duket se nuk kanë lënë gjurmë në duart e policisë. Dy atentatorët u futën në rezidencë pasi çanë rrethimin e jashtëm, e qëlluan nga një distancë të afërt, nga një vend poshtë një peme ulliri.
Të ndihmuar nga një person i tretë, u larguan me shpejtësi me makinën tip “Mercedez Benz”, të cilën e dogjën. Personi i katërt ka pasur rol vëzhgues. Mënyra se si është ruajtur derisa të mbërrinte brenda rezidencës “Kodra e Diellit” dhe hyrja e autorëve nga rrethimi i pasmë i bind hetuesit se ishin vrasës profesionistë dhe me pagesë.
Itinerari që ndoqën autorët
Pasi dolën në Unazë, vijuan përmes ish-sheshit “Shqiponja” dhe hynë në autostradë, nga e cila hynë në rrugën dytësore pranë një qendre tregtare dhe disa kilometra më tej dogjën makinën në Qafë-Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash. Një person tjetër i largoi. Targat e makinës tip 'Benz' i përkasin shtetasin Luan Qanushi, të cilat ishin të vjedhura. Brenda makinës janë gjetur dhe armë tip kallashnikov.
Plagosja në vitin 2012
Briken Sanaj dyshohet se u vra për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.
Lini një Përgjigje