TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Prill 2023, 12:08

Ekzekutimi i Nikulajt, arrestohen në Angli Edmond Haxhia dhe dy nga bashkëpunëtorët

Shkruar nga Pamfleti
Ekzekutimi i Nikulajt, arrestohen në Angli Edmond Haxhia dhe dy nga
Ardian Nikulaj dhe porositësi i vrasjes Edmond Haxhia

Tre prej 6 personave të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, janë arrestuar në Angli. Ata janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.

Gjykata e ekstradimeve në Londër ka bërë me dije se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë.

Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.

Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykata e Lezhës.

Mësohet se operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.

Dinamika e ngjarjes:

Portugezi, Ruben Saraiva ka hyrë në Shqipëri më 11 shkurt 2023 dhe është larguar në mbrëmjen e 19 prillit 2023. Për më shumë se dy muaj, vrasësi ka qëndruar në Kakarriq ne banesen e porositësit Edmond Haxhia, por ka lëvizur edhe në Lezhë dhe Shëngjin për të njohur zonën.

Ndërsa Steven Hunt nga qyteti i Birmingham, ka qenë vëzhguesi. Kamerat e sigurisë të hotelit ‘Coral’ në pronësi të Ardian Nikulajt tregojnë momentin kur në 11 prilli, anglezi, Steven Hunt njëri prej të shpallurve në kërkim hyn në hotel dhe gjen recepsionistin teksa flen gjumë. Që prej kësaj date, Steven Hunt ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e Ardian Nikulajt deri në 19 prill ditën kur ndodhi vrasja.  Ai ishte në lokal kur ndodhi ngjarja, lajmëroi vrasësin portugez të futej brenda në lokal të ekzekutonte Nikulajn. Anglezi në orën 18:00 së 19 prillit ka prerë një biletë me linjën ajrore që largohej nga Shqipëria po atë mbrëmje. Në pamjet e siguruara, shihet momenti teksa portugezi jashtë ambienteve të lokalit, ka marrë informacion për vendin se ku ndodhej Nikulaj dhe ka hyrë për të kryer vrasjen.  Edmond Haxhia, një ditë pas ngjarjes, më 20 prill u largua me avion nga Rinasi drejt Britanisë së Madhe.

Gjakmarrja mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj:

Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë e ka zanafillën në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra.Vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një përson tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën. Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnzimit me karburant.

Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cileve dhe vëllain e Ardian Nikulaj. Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes. Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj, ngjarje këto të pazabardhura.

Kush ishte Ardian Nikulaj?

Ardian Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë nga një person i maskuar në ambientet e biznesit të tij Coral rreth orës 13:30 në 19 prill. Autori mbante një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha, pasi kryen vrasjen me pistoletë në një disatancë shumë të afërt dhe i vetëm u largua qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima po konsumonte kafen e tij të fundit në lokalin e tij në Shëngjin, kur autori e ka qëlluar shtatë herë me pistoletë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.

Konkretisht në vitin 2003 ai është dënuar me katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.

vrasja e nikulajt

Lini një Përgjigje