
Kanë mbërritur në Shqipëri gjashtë shtetas shqiptarë, të cilat janë ekstraduar nga Dubai. Ata ishin në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe/ose pastrimit të parave. Bëhet fjalë për Kristo Qirici, Shkëlzen Kraja, Ilir Lazri, Aleks Pepaj, Eldjan Allush dhe Merxhan Çelikun.
Dy nga të ekstraduarit, Kristo Qirici dhe Eldjan Allushi akuzohen si drejtues të një grupi kriminal të drogës në Sarandë që trafikonte lëndë narkotike drejt Greqisë e më gjerë, pasuritë e të cilëve janë sekuestruar nga SPAK prej disa muajsh.
Kristo Qirici është vëllai i biznesmenit Edmond Papa, vrarë në Tiranë në dhjetor të vitit 2022. Qirici akuzohet si kreu i grupit të Eldjan Alushit dhe Shkëlzen Krajës.
Kisto Qirici akuzohet si kreu i një grupi kriminal të trafikut të drogës që transportonte drogë drejt Greqisë dhe më gjerë. Edhe Eldjan Allushi akuzohet si pjesë e të njëjtit grup, në të njëjtën dosje. 90 pasuri, vlera e të cilave shkon në miliona euro, janë vendosur në sekuestro preventive me vendim të GJKKO pas operacionit të policisë që vendosi në pranga 2 shefa policie dhe shpalli në kërkim një tjetër vitin e kaluar. Sekuestrimet u bënë në muajin mars të këtij viti.
Gjithashtu mes të ekstraduarve është edhe Aleks Pepaj, vëllai i Jetmir Pepës, grupi i të cilit u godit nga SPAK për trafikuan e 7.5 ton kokainë në vitin 2020. Nga të arrestuarit në dubai rezulton edhe Ilir Lazri, po pjesë e grupit të Jetmir Pepës.
Grupi kriminal i Jetmir Pepës përbëhej nga vëllezërit, Jetmir Pepa, Aleks Pepa dhe Urim Pepa të cilët trafikuan në vitin e parë të pandemisë, në 11 muaj 7.5 ton kokainë.
Me vendim të GJKKO-së më 17 prill të këtij viti u shpallën në kërkim 11 persona pjesë e këtij grupi, Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi, Albert Pjetri, Fatjon Marku, Anton Marku alias Anton Tamure, Florjan Vuka alias Vathaj, Kristjan Lleshi, Klevi Leka, Lulzim Pepa, Anton Kola, Ilir Lazri.
Sipas hetimeve të SPAK është dokumentuar aktiviteti i grupit gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë evidentuar 8 episode të trafikut të kokainës në sasi të mëdha. Grupi kriminal akuohet se ka realizuar disa episode të trafikut të kokainës, kryesisht nga Amerika Latine drejt porteve europiane, veçanërisht në Roterdam dhe Amsterdam. Mes 5 të arrestuarve në Dubai edhe Merxhan Çeliku, pjesë e grupit të Amant Josifit.
“Finalizohet ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe i 6 shtetasve të kapur në Dubai, pjesëtarë të grupeve kriminale.
Të ekstraduarit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, u finalizua ekstradimi në Shqipëri i shtetasve:
- K. Q., alias J. H., alias J. Q., 44 vjeç;
- Sh. K., 44 vjeç;
- A. P., alias Sh. P., 38 vjeç;
- D. P., alias E. S., alias D. B., alias F. P., 39 vjeç;
të gjithë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gjithashtu u ekstradua shtetasi:
- I. L., alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
si dhe:
- M. C., 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vendosjen e tyre përpara drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje