
Një 40-vjeçar shqiptar, me qëndrim të rregullt në Itali, është arrestuar në Rovato të provincës së Breshias, nën dyshimin për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas mediave italiane, ai akuzohet se kishte fshehur 17 doza kokaine brenda një pakoje karamelesh.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, gjatë një kontrolli të zhvilluar nga policia në një zonë rezidenciale të Rovatos. Patrulla ka vënë re një person të njohur për precedentë të mëparshëm, i cili po lëvizte në rrugë duke shtyrë dy biçikleta.
Burime mediatike bëjnë të ditur se, sapo ka konstatuar praninë e efektivëve, 40-vjeçari është shfaqur i tensionuar dhe është përpjekur të heqë qafe një pako karamelesh që mbante në dorë. Pas ndërhyrjes së policisë dhe kontrollit të kryer, brenda pakos janë gjetur 17 doza të dyshuara si kokainë.
I dyshuari, i cili rezulton me dënime të mëparshme për posedim dhe trafikim droge, është vendosur në arrest shtëpiak dhe pritet të dalë përpara drejtësisë në vijim të procedurave hetimore.
Lini një Përgjigje