Një bandë “skifterësh” shqiptarë është goditur nga policia italiane në zonën e Torinos gjatë orëve të fundit.
Gjatë operacionit është arrestuar një 42-vjeçar shqiptar për tentativë vjedhjeje me thyerje, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij janë shpallur në kërkim.
Ngjarja u zbulua gjatë patrullimeve rutinë, kur efektivët, teksa kalonin në Via Sospello, vunë re një person që po kontrollonte pjesën e sipërme të një dere me elektrik dore.
Policia ndërhyri menjëherë dhe, pasi hyri në ndërtesë, dëgjoi zhurma që vinin nga brenda. Pak çaste më vonë, tre persona dolën me shpejtësi dhe u larguan në drejtime të ndryshme, duke hedhur sende gjatë arratisjes.
Pas ndjekjes, uniformat blu arritën të arrestojnë 42-vjeçarin dhe konstatuan se tre personat kishin hyrë në bodrume duke thyer bravat.
Gjatë kontrollit, në automjetin e përdorur nga të dyshuarit u gjet një armë zjarri e vjedhur më herët, me një fishek në karikator. Po ashtu, u sekuestrua një çantë me bizhuteri dhe ora me vlerë, që dyshohet se janë produktet e vjedhura.
Nga kontrolli personal i të arrestuarit u gjetën edhe 740 euro, ndërsa të gjitha sendet u sekuestruan si prova materiale.
Policia italiane vijon kërkimet për kapjen e dy personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Lini një Përgjigje