TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Korrik 2026, 22:51

I kërkuari nga SPAK përplaset me armë në Shkallnur, i përfshirë edhe një oficer policie

Shkruar nga Pamfleti
I kërkuari nga SPAK përplaset me armë në Shkallnur, i
Denis Tafili

Denis Tafili goditi me qytën e pistoletës një 36-vjeçar, në konflikt dyshohet se ishte i përfshirë edhe një efektiv policie jashtë shërbimit. Sekuestrohet një gëzhojë dhe ngrihen pika kontrolli për kapjen e autorëve.

Një konflikt i rëndë, që ka degraduar deri në përdorimin e armës së zjarrit, është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në fshatin Shkallnur të Durrësit.

Sipas Policisë, rreth orës 15:00, gjatë një konflikti për motive të dobëta, Edison Gjuzi, 36 vjeç, është goditur me qytën e një pistolete nga Denis Tafili, 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe Gentian Meta, 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur.

Pas incidentit, Tafili dhe Meta janë larguar nga vendngjarja me automjet, ndërsa policia ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

Gjatë hetimeve paraprake është konstatuar se në konflikt dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektori L. Xh. Efektivi është shoqëruar, ndërsa ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një gëzhojë pistolete. Sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar se kush ka kryer të shtënat.

Denis Tafili është një nga personat e shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të operacionit kundër organizatës "Troplini", ku akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.

Ngjarja ngre pikëpyetje edhe për faktin se një person i shpallur në kërkim rezulton të ketë qenë i lirë dhe i përfshirë në një konflikt me përdorim të armëve.

Policia e Durrësit ka rrethuar zonën, ka ngritur pika kontrolli dhe vijon operacionin për kapjen e Denis Tafilit dhe Gentian Metës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim.

Njoftimi i policisë

Më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.

Gjithashtu, dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.

Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

 

denis tafili

1 Komente

  1. B
    Bablok

    Hahhahah.Policia ka rrethuar vendin e ka ngritur postblloqe.Cfar shakaje me policibe e bablokut

    Lini një Përgjigje