TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Maj 2025, 10:30

Atentati në Durrës, Ermir Dedja pjesë e grupit Avdylaj të Shijakut; u vra sapo u kthye nga Gjermania

Shkruar nga Pamfleti

Mësohet se atentati i është bërë nga persona të maskuar, teksa po ecte në këmbë. Plumbat kanë përshkuar edhe xhamat e një qendre shëndetësore të zonës.

Atentati në Durrës, Ermir Dedja pjesë e grupit Avdylaj të
Ermir Dedja

Personi që shihni në foton e mësipërme është 29 vjeçari Ermir Dedja, që mbeti i vrarë pas mesnate në lagjen nr.18 në Durrës. Ai u qëllua disa herë me armë zjarri, nga persona ende të paidentifikuar nga policia.

Ermir Dedja rezulton të ketë lidhje me Aldo Avdylajn, nipin e Astrit dhe Altin Avdylajt, krerëve të grupit kriminal me bazë në Shijak.

Aldo Avdylaj është ndërkohë në kërkim, nën dyshimet për pjesëmarrje në grup kriminal dhe plane për të kryer vrasje.

I riu ishte me origjinë nga Shijaku, por jetonte në Durrës. Ai kishte jetuar kohët e fundit në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.

Teksa vijon kontrolli dhe këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë, hetuesit kanë dy pista kryesore lidhur me ngjarjen. Dedja mund të jetë vrarë për hakmarrje ose për shkak të pazareve të mundshme lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike. Kjo pasi ai rezulton me precedent të mëparshëm kriminal dhe njihej si person problematik.

Mësohet se atentati i është bërë nga persona të maskuar, teksa po ecte në këmbë. Plumbat kanë përshkuar edhe xhamat e një qendre shëndetësore të zonës.

Një banor i një pallati përballë vendit të ngjarjes ka deklaruar se dëgjoi breshëri arme zjarri dhe në fillim mendoi se bëhej fjalë për fishekzjarrë. Nga dritarja ka parë një person të shtrirë në tokë dhe ka kuptuar se bëhej fjalë për një vrasje. Sipas tij, pak më vonë mbërritën forcat e policisë dhe më pas autoambulanca që transportoi trupin e të riut drejt Spitalit Rajonal Durrës, ku nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Nga informacionet e para, autorët kanë qenë në gjurmim të viktimës dhe pasi janë koordinuar për itenerarin e viktimës, kanë sinjalizuar njëri-tjetrin për të kryer vrasjen e tij dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet. Viktima, me origjinë nga Shijaku, por banues në Durrës, jetonte në një banesë në lagjen nr. 11 i vetëm. Ai rezulton person me precedentë penalë.

Në vitin 2015, Ermir Dedja është arrestuar pasi i kishte shitur drogë një grupi personash që synonin ta transportonin atë nga pika kufitare e Morinës drejt Kosovës. Rasti ishte pjesë e operacionit policor të koduar “Jupa 1”. Në një tjetër rast, në vitin 2017, ai është arrestuar pasi kishte përkrahur Ismail Nuredinin në një plagosje në Shijak.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë kontrollet për kapjen e autorëve. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po zhvillohen hetime intensive për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes dhe sigurimin e provave për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia deklaron se po shqyrton pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë për të kuptuar më mirë dinamikën e ngjarjes. Hetimet janë në vijim dhe aktualisht po shqyrtohen disa pista, por ende nuk ka një pistë të saktësuar për motivin e vrasjes./ Pamfleti

ermir dedja

Lini një Përgjigje