
Juli Pashakos njihet si një prej rivalëve të Aldo Bares, madje ka qenë i dyshuar edhe për atentatin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, miq të nipit të Aldo Bares
Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur paraditen e sotme në Lushnje, ndërsa në drejtim të një automjeti është qëlluar me arma automatike nga një tjetër makinë. Gjithë ngjarja ka ndodhur brenda pak sekondash, në kthesën pranë spitalit të Lushnjes.
Nga të dhënat e fundit mësohet se objektiv i atentatorëve ishte Julian Sula, i njohur ndryshe si Juli i Pashakos, një emër i njohur për drejtësinë. Nga informacionet e para mësohet se 45-vjeçari, i njohur si Juli Pashakos, ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë.
Policia ka ngritur postoblloqe në pikat kyçe të qytetit.
Më herët u raportua se në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet tip Nissan duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve. Brenda automjetit është gjetur edhe një armë zjarri tip pistoletë, e cila do i nënshtrohet ekspertizës në laboratorin kriminalistik.
Policia shpreson që përmes kamerave të sigurisë të hedhë më shumë dritë mbi autorët e dyshuar të ngjarjes.
Juli i Pashakos njihet si një prej rivalëve të Aldo Bares, madje ka qenë i dyshuar edhe për atentatin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, miq të nipit të Aldo Bares. Por para hetuesve ai deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me këtë krim, ndërsa në anën tjetër policia nuk arriti të gjejë prova dhe fakte që mund ta implikonin me atentatin.
Më parë ndaj Sulës është bërë dhe një tentativë për ta vrarë, pasi ai është dhunuar fizikisht me leva, duke pësuar dëmtime të shumta, por autorët e këtij krimi nuk u zbardhën kurrë. Gjithashtu Sula u shpall në kërkim policor si person që mund të kishte dijeni për atentatin ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoj, por në atë kohë ai mohoi çdo lidhje me ngjarjen, duke u shprehur se ishte në Kosovë dhe nga andej kishte udhëtuar drejt Turqisë. Ai njihej si një lidhje e fortë me Rrajat e Fushë-Krujës, por ai ka mohuar njohjet me ta.

Njoftimi i Policisë
Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi J. S., 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një Përgjigje