TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Nëntor 2025, 17:35

Kërkoi 20 mijë euro për të ndikuar në një institucion shtetëror, SPAK çon në qeli ish-gardistin

Shkruar nga Pamfleti

Kërkoi 20 mijë euro për të ndikuar në një

Një ish-punonjës i Gardës së Republikës u arrestua me urdhër të SPAK. Vendimi është ekzekutuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë).

Akuza që çoi në pranga ish-punonjësin e Gardës është ajo për “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë po për këtë hetim, ndaj një shtetasi është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Këta persona, në role të ndryshme në shpërdorimin e veprës penale, në këmbim të shumës prej 20 mijë eurove, i kanë premtuar një personi se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave dhe veprimeve juridike në një institucion shtetëror.

Sakaq, hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas një hetimi të plotë me metoda speciale, sot në datë 03.11.2025 ka ekzekutuar masat e sigurisë me karakter shtrëngues ndaj një ish punonjësi të Gardës së Republikës dhe një shtetasi, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione pubike” në bashkëpunim, parashikuar në nenet 245/1 paragrafi 4 dhe neni 25 të Kodit Penal dhe konkretisht;

➡️ Masa e sigurisë “Arrest në burg” parashikuar në nenin 238 të Kodit të Pr. Penale ndaj Z. M., me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Oficer pranë Gardës së Republikës me gradën Komisar.

➡️Masa e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar në nenin 234 të Kodit të Pr. Penale ndaj shtetasit K. D., banues në Tiranë, i shpallur në kërkim.

Gjatë veprimeve hetimore, proceduriale shteruese në drejtimin e SPAK u arrit të provohej se këta dy shtetas në role të ndryshme gjatë kryerjes së veprës penale, në këmbim të shumës prej 20 mijë Euro, i kanë premtuar një shtetaseje (kallëzueses) se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave dhe veprimeve juridike në një institucion shtetëror.

Vijojnë veprimet hetimore për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e AMP.

Lini një Përgjigje