
SPAK ka sekuestruar edhe miliona lekë dhe mijëra franga zicerane...
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuritë e Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbajt, të cilët u arrestuan pak ditë më parë, pasi fusnin në Shqipëri miliona euro të përfituara nga trafiku i drogës. Ata përdornin sistemin “Hawala” për transferimin e parave.
Sipas SPAK, për kalimin e parave përmes kësaj mënyre (HAWALA), e cila nuk lë gjurmë, por ka si taksë masën 6% të vlerës, janë përdorur zyra të këmbimit valutor dhe agjencitë turistike.
“Nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave. Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera”, shprehet SPAK.
Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.
Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.
SPAK ka sekuestruar kompani, vila dhe shuma monetare në franga zvicerane.
NJOFTIMI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) ka vijuar hetimet në lidhje me procedimin penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve E.F, B.F dhe P.K.
Gjatë hetimeve paraprake janë kryer veprime të mëtejshme hetimore me qëllim verifikimin e pasurive në zotërim të personave nën hetim, verifikimin e burimit të ligjshëm të tyre, si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që mundet të përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.442 datë 14.07.2024 ka vendosur:
Caktimin masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në zotërim direkt dhe indirekt të shtetasit E.F, të mëposhtme:
1.1. Shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, me Nipt M11512017P, me seli në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, si dhe gjitha asetet e kësaj shoqërie tregtare.
1.2. Pasuria e paluajtshme, nr.3/8-N6, zona kadastrale 8210, volumi 38, faqe 37, e llojit “Njësi”, me sipërfaqe totale 161.67 m2, në emër të shtetasit E.F.
Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 30.01.2017, me çmimin e vendosur në kontratë prej 200,000 Eurosh.
1.3. Pasuria e paluajtshme “Vilë 2 Kate”, nr.169/77, zona kadastrale nr.2375, volumi 16, faqe 119, me sipërfaqe 162.85 m2 truall dhe sipërfaqe totale ndërtimi 140 m2, ndodhur ne Lalëz, Durrës, në emër të E.F.
Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 19.12.2019 me çmimin e vendosur në kontratë prej 80,000 Eurosh.
1.4. Shuma monetare prej 77,160 frangash zvicerane.
2. Caktimin e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e luajtshme në zotërim indirekt të shtetasit P.K, të mëposhtme:
2.1. Shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k, me Nipt L91307007H, si dhe gjitha pasuritë e paluajtshme dhe te luajtshme të kësaj shoqërie tregtare.
Gjithashtu, gjatë hetimeve parapraprake për këtë procedim penal nga kontrollet e kryera në vendin e ushtrimit të aktiviteteve të shoqërisë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe kontrollit të banesave janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68,000,000 lekësh të cilat dyshohen se përbëjnë produkte të veprës penale.
Lini një Përgjigje