Është zbardhur dinamika e vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj të përfshirë nga flakët rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm.
Fillimisht dyshohej se ajo ishte asfiksuar nga tymi, por hetimet kanë zbuluar se bëhet fjalë për një krim të qëllimshëm.
Burimet bëjnë me dije se viktima është vrarë brutalisht përpara se autori të ndizte një zjarr për të zhdukur provat brenda banesës.
Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar, Ilirjan Selmani, i cili mësohet se kishte një lidhje intime me viktimën, dyshohet se fillimisht e ka mbytur dhe e ka goditur me mjet prerës 52-vjeçaren.
Më pas, për të zhdukur gjurmët, ka përdorur peshqirë dhe kartpeceta për të pastruar vendin e ngjarjes, të cilat më vonë janë gjetur me gjak në koshin e mbeturinave pranë pallatit ku banonte viktima.
Policia bën me dije se autori i dyshuar ka ndezur disa vatra zjarri brenda banesës për të inskenuar një aksident dhe për të shmangur çdo provë që mund ta implikonte. Këqyrja e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth ka ndihmuar grupin hetimor të identifikojë dhe më pas të shoqërojë Selmanin, i cili është dërguar për eksperimente hetimore në vendin e ngjarjes.
Ndërsa ai ka mohuar përfshirjen në krim, policia po vijon hetimet intensive për të dokumentuar tërësisht motivet dhe rrethanat që çuan në këtë vrasje makabre.
Në trupin e viktimës u gjetën shenja mbytje dhe dëmtime me mjete prerëse.
Lini një Përgjigje