Hetimet flasin për mijëra persona të mashtruar dhe një dëm ekonomik që dyshohet të kalojë shifrën e 50 milionë eurove
Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 7 urdhër-arreste dhe 2 masa “ndalim dalje jashtë vendi” në kuadër të operacionit të zhvilluar në kryeqytet, ku u goditën tre qendra Call Center-ash të dyshuara për mashtrim kompjuterik.
Në listën e personave për të cilët është caktuar masa “arrest në burg” janë: Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoji Hitaj, ky i fundit i njohur edhe për një rast të mëparshëm për “vrasje me dashje në tentativë”. Ndërkohë, Aida Vokli dhe Ledjon Cenaj janë lënë me masën “ndalim dalje jashtë vendit”.
Sipas burimeve, gjatë operacionit janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 80 operatorë të gjetur në ambientet e këtyre qendrave.
Nga kontrollet janë sekuestruar mbi 800 mijë euro cash, si dhe pajisje të shumta teknologjike, përfshirë kompjutera, servera, USB dhe kamera sigurie. Tre Call Center-at e goditur ndodheshin në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa hetimet kanë çuar edhe në identifikimin e disa bazave të tjera të dyshuara, të cilat po verifikohen.
Hetimet, që kanë nisur rreth dy vite më parë në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake, kanë zbuluar një skemë të organizuar mashtrimi ndaj qytetarëve europianë. Sipas të dhënave, dy prej të arrestuarve, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, dyshohet se konvertonin fitimet në kriptomonedha për të fshehur gjurmët e parave.
Hetimet flasin për mijëra persona të mashtruar dhe një dëm ekonomik që dyshohet të kalojë shifrën e 50 milionë eurove, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë aktivitet.
Goditja e Call Centerave
Operacioni i djeshëm policor ka përfshirë dy ambiente pranë zonës së “Kopshtit Zoologjik” dhe një tjetër në “Rrugën e Kavajës”.
Në këtë të fundit, aktiviteti dyshohet se zhvillohej në tre kate, ndërsa gjatë ndërhyrjes, dy prej kateve janë gjetur me dyer të mbyllura. Brenda këtij objekti janë konstatuar rreth 60 persona, ndërsa në total në këto qendra dyshohet se ishin të përfshirë rreth 70 punonjës, kryesisht operatorë.
Hetimet për këtë rast kishin nisur prej rreth dy vitesh, pas informacioneve të ndara nga autoritetet gjermane dhe austriake, të cilat kanë bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Tiranës. Operacioni është drejtuar nga prokurorja Rovena Zoto.
Ndër personat e përfshirë përmenden edhe Eduart Dalla, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, ky i fundit i hetuar edhe më herët në kuadër të një operacioni për kriptovalutat në vitin 2024.
Ky aksion vjen pas një sërë operacionesh të ngjashme në kryeqytet, ku janë zbuluar skema mashtrimi përmes Call Center-ave, përfshirë edhe raste të zhvilluara në ambiente të kullave luksoze në Tiranë.
Lini një Përgjigje