Personi që shikoni në foto është Florian Gjergji, i dyshuari si koka e grupit që arriti të mashtrojë biznesmenët më të fuqishëm të Tiranës.
Disa prej tyre, Florian Gjergji u ka marrë shuma të mëdha parash në emër të politikanëve të njohur të vendit.
Mësohet se Gjergji ndodhet në Gjermani, ku prej kohësh ka organizuar të gjitha skemat e mashtrimit, në rrjetën e të cilit kanë rënë biznesmenë të ndryshëm, kryesisht ata të fushës së ndërtimit.
Viktima i fundit ishte një arkitekt i njohur. Mashtruesit i dërguan atij një mesazh në rrjetin social Signal duke iu prezantuar si një politikan i njohur në Tiranë.
Pas disa bisedave, ata i kërkuan biznesmenit 70 mijë euro. Ky i fundit pas kuptoi se ishte mashtrim dhe nuk po komunikonte me politikanin e njohur lajmëroi policinë, ku u arrestua Shpëtim Hida.
Kjo është e njëjta skemë e ngjashme me 4 rastet e tjera, ku pikërisht dyshohet se është Florian Gjergji si organizator i tyre.
Nga janari deri tani janë të pakten 4 biznesmenë që kanë bërë denoncimin pasi janë mashtruar duke përdorur emra politikanësh dhe ku u kanë kërkuar shuma të mëdha parash. Pikërisht në 4 operacionet e policisë janë arrestuar në total 11 persona, ku pjesa më e madhe e tyre kishin rol dytësor, ose ishin përdorur thjesht si korrier për të marrë paratë nga viktimat.
Skema që përdorte Florian Gjergji për të mashtruar biznesmenët
Fillimisht 39-vjeçari i dërgon “presë” një mesazh. Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi. Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve. Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Siç duket, Florian Gjergji, ka informacione të detajuar të marrëdhënieve të biznesmenëve edhe me politikanë, çfarë shton dyshimet e hetuesve se pjesë e grupit janë edhe disa persona të tjerë informatorë. Për komunikimin me sipërmarrësit, përdoren aplikacione që aksesohen përmes interntit, si telegram apo signal, ku për hapjen e tyre përdoren platforma VPN që maskojnë vendndodhjen e mashtruesit.
Edhe pse është ai dërguesi i mesazheve dhe ideatori i tyre, për të realizuar misionin Florian Gjergji nuk vepron vetë në terren. Ai lidhet me persona të tjerë, të cilët i njeh dhe u kërkon të shkojnë për të marrë paratë duke ua paraqitur këtë kërkesë si nder apo veprim miqësor. Në rastin e fundit ku tentoi të mashtroj Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën, të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani. Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë. Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir. Edhe pse tashmë janë arrestuar në total 8 bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit ai nuk është kapur. Burime të Report Tv bëjnë me dije, se këto janë rastet e provuara të mashtrimit të tij, por ai dyshohet se ka bërë edhe tentativa të tjera, duke mashtruar në emër të kryebashkiakut aktual të Laçit, apo ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Lini një Përgjigje