
Autoritetet britanike kanë nisur një hetim për të hedhur dritë mbi ngjarjen tragjike që ndodhi në bordin e “Air Albania”.
Më 21 dhjetor ndërroi jetë stjuardesa e kësaj kompanie, 24-vjeçarja Greta Dyrmishi dhe ishin mediat britanike që dhanë detaje, pasi “Air Albania” e fshehu ngjarjen.
Një gjykatë në Essex (zona ku edhe ndodhet aeroporti Stansed) dëgjoi sot ekspertët mjekësorë që trajtuan 24-vjeçaren në vendngjarje, duke thënë se Dyrmishi po udhëtonte nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, për në Essex më 21 dhjetor, kur i ra të fikët papritur.
Ndihma e parë dhe CPR iu dha në vendngjarje, por ajo fatkeqësisht ndërroi jetë. Dyshimet janë se pësoi atak kardiak. Njësia e Shërbimit të Ambulancës Lindore të Anglisë tha se dy ambulanca, një automjet i ekipit të reagimit të zonës së rrezikshme dhe ambulanca ajrore e “Essex & Herts” iu përgjigjën raporteve për një grua të sëmurë rëndë në bordin e një avioni.
Mjekja ligjore e zonës së Essex, Michelle Broën tha në gjykatë se vdekja e Gretës do t’i nënshtrohej një hetimi të plotë dhe të dokumentuar.
“Kjo femër 24-vjeçare ishte në ekuipazhin e kabinës në një fluturim nga Shqipëria dhe ndodhej në pistë kur i ra të fikët dhe iu dha ndihma e parë bazë. Dhjetë minuta më vonë ajo nuk kishte puls dhe ndaj saj u krye CPR. Mjekët e trajtuan atë dhe konfirmuan se ajo kishte vdekur. Autposia pas vdekjes zbuloi se shkaku i saj i vdekjes ishte sindroma e vdekjes së papritur të të rriturve. Në kohën e incidentit, stjuardesa ishte në pjesën e përparme pranë dyerve të një avioni në aeroportin Stansted. Ky rast është i përshtatshëm për një hetim të dokumentuar në kohën e duhur”, tha ajo.
Lini një Përgjigje