
Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Beratit pasi kishte ndërtuar pa leje një objekt tre katësh në lagjen “Barrikadë” që do të funksiononte si hotel.
Sipas policisë, aksioni erdhi në kuadër të kontrollit të territorit dhe lirimit të hapësirave publike në vend. Shërbimet kishin siguruar informacione në rrugë operative, se një person kishte ndërtuar pa leje, duke ushtruar menjëherë kontroll në terren.
"Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas kishte ndërtuar, pa leje, në lagjen “Barrikadë”, kanë kryer kontrolle në këtë zonë. Gjatë kontrolleve u konstatua se shtetasi A. G. kishte ndërtuar pa leje, një objekt trekatësh, të destinuar si hotel.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariarit të Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasin A. G., 30 vjeç, banues në Berat. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje