TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Prill 2023, 18:00

Në kërkim ndërkombëtar për arsenal armësh, ekstradohet nga Spanja 33-vjeçari

Shkruar nga Pamfleti

Në kërkim ndërkombëtar për arsenal armësh,

Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia për posedim të një arsenali armësh dhe municionesh është arrestuar në Barcelonë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe punës operacionale ndërmjet shërbimeve të ZQK Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, u bë i mundur lokalizimi në Barcelonë, kapja dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Edmir Vlashi alias Edmir Marku, 33 vjeç i lindur në Lezhë.

Ai dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal në Shqipëri, që ndër të tjera ka tentuar të ekzekutojë në Kamëz biznesmenin Preng Paluca.

Edmir Marku ishte i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, të finalizuar nga Policia e Lezhës, në dhjetor të vitit 2021. Gjatë këtij megaoperacioni, u sekuestrua arsenali i armëve dhe shuma 88.900 euro e dyshuar e përfituar nga tregtimi i armëve, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas, të afërm të 33-vjeçarit të ekstraduar nga Spanja.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Më datë 07.12.2021, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, në banesën e këtij shtetasi dhe në banesën e të afërmve të bashkëshortes së tij (prindërit dhe kunati i bashkëshortes, të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij megaoperacioni), shërbimet e Policisë së Lezhës gjetën dhe sekuestruan 6 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 kuti me lëndë plasëse C4, shumën 88 900 euro, kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellëse, 2 radio si të Policisë, municion luftarak, 1 automjet dhe celularë.

Shtetasi E. V. alias E. M. iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, bëri me dije policia.

ekstradohet 33-vjeçari spanjë

Lini një Përgjigje