TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Shtator 2025, 20:49

Në kërkim për skemat piramidale, arrestohet “koka” e “XUEX” për zonën e Divjakës

Shkruar nga Pamfleti

Në kërkim për skemat piramidale, arrestohet “koka” e

Ereledio Shebku, organizatori kryesor për zonën e Divjakës i skemave piramidale “XUEX” ka rënë në prangat e policisë.

35-vjeçari është personi i 7 që arrestohet në kuadër të këtij operacioni.

Kujtojmë që më 14 shtator u arrestuan 6 persona; Arbër Çela 38, Emanuel Taullau 21 vjeç, ⁠Flavio Mukaj 23 vjeç, ⁠Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe.

Brunilda Todi është motra e Ereledio Shebekut. Kurse në kërkim vazhdon të jetë gruaja e tij këtij të fundit, A.Sh. 35 vjeç.

Të arrestuarit ishin përgjegjës për rekrutimin në terren të personave që t’i bindnin të investonin në firmat piramidale online Xuex.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit njofton se, në vijim të operacionit “XUEX”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Fier dhe me mbështetjen e ngushtë të Prokurorisë së Fierit, është finalizuar ndalimi i personit të dyshuar si organizatori kryesor për zonën e Divjakës, shtetasi Ereledio Shebku 35 vjeç.

Ky operacion tregon vendosmërinë e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit për goditjen e aktiviteteve mashtruese online, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe të sigurisë publike.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e platformave mashtruese, si dhe të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre personale dhe bankare, në faqe apo aplikacione të pasigurta.

Çdo rast i dyshimtë të raportohet pranë strukturave të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, si edhe pranë seksioneve përkatëse në çdo DVP.”-njofton policia.

Si funksiononte skema?

Sipas dosjes hetimore, Shebeku, nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, ka të instaluar një platformë për tregëtimin e kriptomonedhave, e cila mban emrin “XUEX”.  Në këtë faqe online ai ka hapur një grup me pesë persona, edhe familjarët e tij, ku secili prej tyre investon vlera monetare në shumat që variojnë nga 1.000 deri në 5.000 dollarë.

Ai nëpërmjet këtij aplikacioni merr mesazhe nga një person që është identifikuar si “Leo Smith”, i cili dyshohet se është shtetas britanik, ku i fton të gjithë pjesëmarrësit që të futen në këtë platformë në orën 14:20 dhe në orën 19:20 të çdo dite, duke i kërkuar që ti bëjn “like” faqeve që ju dërgon ky shtetas në aplikacionin “Telegram”.

Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se pasi situata lidhur me këtë skemë u bë mediatike, Ereledio Shebeku ishte i frikësuar dhe në tension, pasi deputeti Erion Brace e kishte përmendur në një postim në rrjetet e tij sociale.

“Për këtë arsye shtetasi Ereledio Shebeku, ka bërë të mundur vetëm regjistrimin në platformën Binanc, ku ju ka depozituar edhe 700 euro dhe ju ka thënë agjentëve të policisë se duhet të gjenjë një person tjetër që ti bëjë pjesë të grupeve në aplikacionin Telegram, sepse ai vet nuk mundej pasi i kishte bërë tashmë pesë persona”, thuhet në dosjen hetimore.

Kujtojmë se qindra qytetarë nga Divjaka, Lushnja e zonat përreth ranë pre e mashtrimit duke investuar nga 1,000 deri në 5,000 dollarë, me premtimin për fitime të përjetshme.

Lini një Përgjigje