Një atentat me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e djeshme në Greqi, ku u qëllua me 10 plumba Andrea Kalemi, i cili dyshohet se është i implikuar në vrasjen e Edmond Papës.
51-vjeçari Andrea Kalemi i njohur edhe si Adriatik Kalemi, i plagosur në një atentat në Greqi nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare.
Në vitin 2001 ai rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë sëbashku me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.
Në vitin 2022 Kalemit i është vrarë me shpërthim eksplozivi kushëriri, Aleksandër Sadikaj. Disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa si shenjë hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo dhe është në kërkim shoku tjetër Andrew Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Andrea Kalemit.
51-vjeçari rezulton bashkëpronar i kompanisë “Shiza Kalemi” sh.p.k me adrese në Memaliaj dhe objekt “Në fushën e tregtisë, import, eksport, tregti me shumicë dhe pakicë e mallrave industriale, ushqimore, bujqësorë e blegtorale, veshmbathje, konfeksione, prodhim, përpunim e tregtim i materialeve te ndërtimit, inerte, rëre, zhavorr, tregtim i automjeteve, makinerive, hidrosanitare, bimëve medicinale, te lendes drusore, plastike, duraluminit etj.
Ai gjithashtu rezulton pronar i një bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele etj. Agjensi shitblerje dhe dhënie me qira të pasurive të patundshme, agjenci transporti të udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete të ndërtimit. Pastrim te sipërfaqeve urbane, gjelbërim mirëmbajtjen e sipërfaqeve te gjelbëria, mirëmbajtjen e varrezave publike dhe dekorim te qytetit”.
Lini një Përgjigje