Është identifikuar 51-vjeçari shqiptar që u plagos rëndë mbrëmjen e së mërkurës në vendin e quajtur Limani i Lakës në ishullin Paksi në detin Jon.
I plagosuri quhet Andrea Kalemi, i cili dyshohet se është i implikuar me vrasjen e Edmond Papës, i vrarë në muajin dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Po ashtu, ai është akuzuar se ka vrarë dy persona në Belgjikë në vitin 2001.
51-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetën në spitalin e Janinës.
Kalemi ka hyrë në datën 5 gusht në Greqi nga Kakavija, së bashku me gruan tre fëmijët.
Në vendngjarje u gjetën 14 gëzhoja pistolete ndërsa vijon puna për arrestimin e autorit. Policia ka emrin dhe identitetin e tij. Bëhet fjalë për shtetas shqiptar me banim në Itali.
Debati mes tyre degradoi në përplasje fizike, ku autori i dyshuar nxori nga xhepi një pistoletë dhe qëlloi disa herë mbi viktimën i cili mbeti i plagosur rëndë.
Policia thotë se ngjarja mund të jetë larje hesapesh për borxhe të vjetra mes autorit dhe viktimës, ose edhe pista e hakmarrjes.
Situata pritet të sqarohet nëse bëhet i mundur arrestimi i autorit ose pas dëshmisë së të plagosurit.
Pse u vra Edmond Papa?
Prishja e pazareve të drogës dyshohet se fshihet pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë.
Kjo është pista kryesore e ngritur nga policia e Tiranës e cila nga verifikimet paraprake dyshon se vrasja e Edmond Papës ka ardhur si kundërpërgjigje e një eliminimi mafioz që i është bërë një kundërshtari të tij gjatë kësaj vere në Tiranë.
Prova kryesore që e shtyn policinë të lidhë dy vrasjet është fakti se Papa dhe kundërshtari i tij janë takuar në Sarandë dy ditë para vrasjes së ndodhur në qershor të këtij viti. Ka dyshime se ky takim mes tyre nuk ka shkuar mirë dhe solli më pas ngjarjen e rëndë.
49-vjeçari u ekzekutua pasditen e së premtes së 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe.
Megjithëse me profil të ulët, 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Nga verifikimet ka rezultuar se Edmond Papa në Shqipëri kryesisht gjatë verës jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.
Kush është Andrea Kalemi?
Adriatik alias Andrea Kalemi, është djali i dajës së Aleksandër Sadikaj që u va me eksploziv. Sipas analizës së bërë nga policia dhe prokuroria, Andrea Kalemi, ka lidhje të ngushta shoqërore me dy personat e arrestuar Albano Velo dhe Andrew Bode, ku së bashku kanë frekuentuar lokalet dhe udhëtuar jashtë shtetit.
Ky person por edhe individë të tjerë, familjarë të viktimës Aleksandër Sadikaj, në rrugë operative dyshohet se kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e Sadikaj është organizuar në qytetin e Sarandës, pikërisht në hotelin ky ai kishte fjetur dy ditë para se të ekzekutohej me tritol në makinë.
Në vazhdim të këtyre dyshimeve, familjarët dhe persona të rrethit shoqëruar të Aleksandër Sadikaj, janë angazhuar privatisht për të mësuar detaje me qëllim hakmarjen për vrasjen e personit të tyre të afërm.
Në objektivin e familjarëve dhe vetë babait të Aleksandër Sadikaj, Edmond Papa, ka qënë njeriu kryesor i dyshuar si autor dhe organizator i këtij krimi të rëndë të ndodhur në 11 qershor 2022.
Nisur nga kjo situatë, pas 6 muaj nga vrasja e Sadikaj është vendosur ekzekutimi i Edmond Papa në Tiranë. Vrasja e tij është kryer teksa ndodhej i vetëm në ambjentet e një kafeneje dhe Papa po konsumonte kafe. Ai është qëlluar me pistoletë disa herë në një distancë të vogël, duke i shkaktuar plagë tejshkuese.
Lini një Përgjigje