
Autoritetet po hetojnë shkaqet e ngjarjes, por dyshohet se të dy fëmijët mund të jenë helmuar.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër. Një fëmijë 3-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin e qytetit dy ditë më parë, ndërsa në gjendje të rëndë është motra e tij 7 vjeçe.
Paraprakisht dyshohet se fëmijët mund të jenë helmuar.
Sipas informacioneve të dala nga spitali, babai i ka dërguar fillimisht në spital të dy fëmijët, pasi ka dyshuar se kanë qenë të prekur nga një virozë gripale. Pasi kanë marrë aty mjekimin, ai i ka dërguar në shtëpi.
Sipas Spitalit Rajonal të Shkodrës, mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore, duke i kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme.Megjithatë, sipas tyre prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi.
Një ditë më pas, gjendja e 3-vjeçarit është përkeqësuar ndjeshëm, dhe familjarët e kanë sjellë sërish në spital në gjendje shumë të rëndë. Fëmija është dërguar në spitalin e Shkodrës, të shtunën (22 shkurt) në orën 10:15 pa puls. Pasi është reanimuar ka ndërruar jetë në orën 11.
Ndërkohë, motrës së tij, që po përjetonte simptoma të ngjashme, mjekët i kanë ofruar ndihmë të menjëhershme dhe e kanë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Gjendja e saj mbetet kritike, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar. Ndërkohë mësohet se po kryen hetime dhe verifikime mbi shkaqet e kësj ngjarje tragjike. Paraprakisht thuhet se fëmijët kanë shenja helmimi në trup.
Pas bujës në media reagoi më pas dhe policia. Ajo bën me dije se ka nisur hetimet bashkë me prokurorinë për të zbuluar shkaqet e ngjarjes.
“Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.
Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit”, njofton policia.
Lini një Përgjigje