TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Shkurt 2026, 20:22

Operacion antidrogë në Elbasan, arrestohen tre persona; sekuestrohen 45 kg kanabis dhe armë luftarake!

Shkruar nga Pamfleti

Operacion antidrogë në Elbasan, arrestohen tre persona; sekuestrohen

Një aksion policor i zhvilluar gjatë natës çoi në arrestimin e tre personave të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe në sekuestrimin e 45 kilogramëve kanabis sativa.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, organizoi operacionin pas informacioneve për transport të lëndës narkotike. Forcat e policisë ndoqën një automjet që dyshohej se po lëvizte me drogë.

Në hyrje të Elbasanit, drejtuesi i mjetit tentoi t’i shmangej kontrollit duke rritur shpejtësinë dhe duke u futur në një rrugë të pandriçuar në zonë periferike. Policia rrethoi perimetrin dhe bllokoi automjetin, duke arrestuar në flagrancë tre personat që ndodheshin brenda.

Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan rreth 45 kilogramë kanabis sativa, një armë luftarake me municion, një shumë parash dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.

Gjatë ndërhyrjes, një punonjës policie u plagos aksidentalisht nga thyerja e një xhami. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore po verifikojnë shtrirjen e aktivitetit të grupit, i cili dyshohet se ka operuar prej kohësh në të paktën tre qarqe. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

elbasan 45kg armë aksion

Lini një Përgjigje