
E marta e 6 tetorit s’ishte një ditë normale për drejtësinë shqiptare, rendin e sigurinë ndërsa do të ishte dita e fundit e jetës për gjyqtarin Astrit Kalaja. Ai u qëllua për vdekje brenda ambienteve të gjykatës.
Pas shpalljes së një vendimi gjyqësor që nuk shkonte në favor të familjes Shkembi, tensionet u përshkallëzuan në mënyrë të menjëhershme. Gjon Shkembi, një nga palët në proces, iu drejtua gjyqtarit me fjalët: “Se po vërtetoj ato që ka thënë e gjithë Shkodra për ty, që ti je...”, duke lënë të kuptohet një përplasje e fortë verbale. Gjyqtari Kalaja i është përgjigjur me qetësi: “Vazhdo ti, vazhdo”, por në atë moment, Elvis Shkembi ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka qëlluar në drejtim të tij.
Sipas dëshmive të dhëna në prokurori, ngjarja ndodhi në sy të shumë personave, përfshirë Ervis Kurtajn dhe babain e tij Ragipin, të cilët mbetën të plagosur gjatë të shtënave. Ervisi ka deklaruar se në përpjekje për të shmangur situatën, kishte tentuar të tërhiqte babain në drejtim të korridorit, por autori kishte vazhduar të qëllonte edhe në drejtim të tyre.
Edhe Gjon Shkembi ka dhënë një dëshmi të shkurtër, duke pretenduar se ishte viktimë dhe se nuk kishte dijeni për atë që do të ndodhte. Ngjarja e rëndë ka lënë pasoja të thella në opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi sigurinë në ambientet e gjykatave.
Dëshmia e autorit Elvis Shkembi para hetuesve: “Kam qenë i tronditur në atë moment. Vendimi i gjyqtarit Kalaja më duk shumë i padrejtë. Kur dëgjova se si ai e mbylli procesin, ndjeva një urrejtje të madhe brenda meje. Në atë çast, pa e menduar gjatë, nxorra armën që e mbaja prej vitesh për vetëmbrojtje dhe qëllova në drejtim të tij. Nuk kisha qëllim ta vrisja, thjesht nuk e duroja dot padrejtësinë që po na bëhej. Menjëherë pas të shtënave, dola në oborr me xhaxhain tim dhe i dhashë çelësat e makinës, duke i thënë të largohej sepse nuk kishte lidhje me këtë punë.”
“Kam qenë i shokuar, i hutuar, nuk dija çfarë po bëja. Kur pashë policinë që po afrohej, u ngrita dhe u thashë: ‘Unë kam qëlluar me armë’. E mbaj mend që xhaxhai më tha vetëm: ‘Na fike!’, dhe ai vetë nuk bëri asnjë veprim, thjesht qëndroi aty i mpirë. Armën e kam pasur në brez edhe në seanca të tjera, por asnjëherë nuk e kam përdorur. Ishte hera e parë që shtija me të. E mbaj për vetëmbrojtje, jo për presion ndaj gjykatës. Më vjen keq për gjithçka ndodhi. Nuk doja të përfundonte kështu. Ishte një moment i rëndë psikologjik që më pushtoi dhe më verbëroi.” /MCN
Lini një Përgjigje