
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Dorian Beun, 46-vjeçarin i cili u arrestua në Malin e Tomorrit.
Beu akuzohet për “prodhim e shitje të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, ndërsa masa në mungesë ndaj tij ishte caktuar në mars 2023.
Në sallën e gjyqit, përmes avokatit të tij Andi Hasanaj, Beu ka kërkuar masë më të butë duke pretenduar se për të njëjtin fakt penal po procedohej nga autoritetet italiane.
Në vendin fqinj ai është arrestuar në tetor të vitit 2023 dhe ndaj tij është caktuar masa “arrest në shtëpi”, ndërsa në dhjetor të 2023 drejtësia italiane vendosi që ta hetonte në gjendje të lirë.
Beu ishte në kërkim si pjesë e një grupi trafiku droge që u godit vite më parë në kuadër të një operacioni mes SPAK dhe autoriteteve italiane. Dorian Beu ishte pjesë e grupit kriminal të përbërë prej 18 personash që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, grup i cili ka pasur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë, nga viti 2015 e në vijim.
Grupi kriminal akuzohet për trafikimin e 356 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe kanabis. Në dhjetor të vitit 2023, GJKKO caktoi masën e sigurisë 'arrest me burg' për anëtarët e kësaj bande të drejtuar nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, pjesë e të cilit ishte edhe Dorian Beu.
Në vitin 2023, SPAK njoftoi se veprimtaria kriminale e këtij grupi ishte zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim, në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.
Nga veprimet hetimore u bë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.
Në vitin 2023, me vendimin e GJKKO, iu vunë në sekuestro 1 mln euro pasuri në Durrës, të përfituara nga paratë e ardhura nga krimi, në emër të Braniol Liço, Gernard Beu dhe Emirjan Beu.
Lini një Përgjigje