Një operacion antidrogë i policisë zvicerane ka çuar në arrestimin e një çifti shqiptaro-italian, të dyshuar për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike. Në pranga kanë përfunduar një shtetas shqiptar 51 vjeç dhe një grua italiane 35 vjeçare, të cilët u kapën në flagrancë në banesën e tyre në Davesco-Soragno, ku u gjet 1.4 kilogramë kokainë.
Sipas autoriteteve zvicerane, arrestimet janë rezultat i një hetimi të gjatë, që është shtrirë në kohë dhe përfshin disa episode të mëparshme. Zyra e Prokurorit Publik dhe Policia Kantonale bënë me dije se shqiptari i arrestuar është me banim në Gjermani. Gjatë kontrollit në shtëpinë e çiftit, hetuesit sekuestruan edhe 10 gramë ekstazi, ndërsa dyshohet se të dy janë pjesë e një rrjeti më të gjerë të shpërndarjes së drogës në zonën e Sottocenerit.
Ky zhvillim vjen pas një ndërhyrjeje të mëparshme policore më 22 shkurt, ku gjatë një kontrolli në një vilë në Pregassona u kapën 2.8 kg kokainë, mbi një kilogram kanabis dhe derivate të tij, një pistoletë dhe tre armë të tjera. Atëherë u arrestuan tre persona: dy italianë dhe një shtetas rumun 28-vjeçar.
“Ky operacion është pjesë e një hetimi më të gjerë, që zgjati disa muaj, i cili ka çuar tashmë në arrestimin e disa individëve. Më 22 shkurt, gjatë një bastisjeje policore në një vilë në Pregassona, u sekuestruan 2.8 kilogramë kokainë, mbi një kilogram kanabis dhe derivate të tij, një pistoletë dhe tre pushkë. Dy italianë, të moshës 47 dhe 46 vjeç, dhe një shtetas rumun 28-vjeçar u arrestuan në atë kohë”, informon media zvicerane.
Hetimet kanë vijuar edhe pas kësaj ngjarjeje. Në fillim të muajit prill, hetuesit kanë vënë në pranga edhe tre persona të tjerë: dy italianë, të moshës 57 dhe 34 vjeç, dhe një shtetase zvicerane 38-vjeçare. Ndërkohë, autoritetet janë duke shqyrtuar edhe pozitat ligjore të disa individëve të tjerë të përfshirë, për të cilët nuk janë marrë ende masa të menjëhershme kufizuese.
Lini një Përgjigje