Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim, lidhur me plagosjen e 28-vjeçarit Juglen Abazi në zonën e Freskut, ngjarje e ndodhur në datën 2 gusht.
Sipas informacioneve të policisë, nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pas plagosjes me armë zjarri të të 28-vjeçarit, kanë kryer veprime (lëvizje dhe fshehje të sendeve) për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të përkrahur autorin e identifikuar si Klejvis Caka (Lusha), i cili është shpallur në kërkim dhe është ende në arrati.
Ndërkohë një ditë pas ngjarjes në 3 gusht u arrestua në flagrancë 27-vjeçari Xhonatan Qerimi, i dyshuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, si dhe u shpall në kërkim edhe 26-vjeçari Andi Gurra, banues në Tiranë, gjithashtu për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
28-vjeçari ishte brenda në automjet, kur u qëllua me armë zjarri, duke marrë një plumb në bark, ndërsa autori i ngjarjes i cili qëlloi ishte në këmbë.
“Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 02.08.2025, te Fresku, ku u plagos me armë zjarri një 28-vjeçar.
Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër, pasi dyshohet se kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të përkrahur autorin e saj.
Vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes dhe të bashkëpunëtorit të tij.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 02.08.2025, në Fresk, ku u plagos me armë zjarri një 28-vjeçar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë arrestuar shtetasin A. D., 30 vjeç dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin D. H., për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit në krim”.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit J. A., 28 vjeç, kanë kryer veprime (lëvizje dhe fshehje të sendeve) për të penguar zbardhjen e ngjarjes dhe për të përkrahur autorin e saj, shtetasin K. C.(L.), i cili është shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Lini një Përgjigje