Policia italiane ka çmontuar një bandë skiftërësh, ndërsa në pranga ranë 3 shqiptarë.
Sipas mediave të huaja, gjatë arrestimit 3 shqiptarët lënduan disa oficerë teksa i qëlluan me grushte, shkelma dhe i plagosën me kaçavidë.
Pas përfundimit të aksionit u vlerësua se banda e ‘skifterëve’ kishte kryer vjedhje të mallrave me një vlerë 40 mijë euro, kryesisht bizhuteri floriri, që iu rikthyen pronarit të banesës.
Të arrestuarit janë të moshave nga 18-36 vjeç, që dyshohen edhe për një seri tjetër grabitjesh, në shumë raste edhe të shkallës së rëndë.
Ata sapo kishin kryer një grabitje në një apartament në zonën e Cassias dhe po shkonin në shtëpi, duke ecur përgjatë shtigjeve të Parkut Insugherata me plaçkën e tyre. Por, ky akt nuk u shpëtoi agjentëve të patrullës së policisë së Flaminio, të cilët ishin vendosur në park për disa orë pas raportimeve të incidentit në ditët e mëparshme, ndërsa ishin montuar edhe kamera.
Oficerët e fshehur në shkurre ngritën pritë, por thirrjes së tyre një nga shqiptarët iu përgjigj me kërcënim kaçavide. Me ndihmën e dy të tjerëve, ai dhunoi policët në krye të detyrës, por këta të fundit arritën që t’ia dilnin, duke i nënshtruar dhe prangosur, informon media italiane.
Pas kontrollit fizik dhe të çantave të tyre, u gjet jo vetëm malli i grabitur, por edhe çelësi i shtëpisë së bastisur. Shqiptarët ishin të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për të kryer grabitjet, deri edhe pajisje për hapjen e dyerve.
Gjykata vendosi gjatë masës së sigurisë që dy prej tyre të qëndronin në arrest shtëpiak, me byzylyk elektronik. Më i riu nga të tre, do të detyrohet të paraqitet në Policinë Gjyqësore çdo ditë.
Lini një Përgjigje