TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Korrik 2025, 13:51

"Po zvarrit seancën, gjobiteni"/ SPAK përplaset me avokaten e Altin Ndocit, kërkoi përjashtimin e gjyqtares

Shkruar nga Pamfleti

"Po zvarrit seancën, gjobiteni"/ SPAK përplaset me avokaten

Seanca gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku një nga të pandehurit kryesorë është Altin Ndoci, u ndërpre sërish, pasi për të dytën herë radhazi avokatët mbrojtës braktisën sallën. 

Sot u mbajt seanca e radhës në GJKKO, ku bashkëpunëtorët e drejtësisë kanë dëshmuar lidhur me krimet e kryera të tyre dhe grupeve kriminale ku bëjnë pjesë.

Avokatja Elda Zotaj, përfaqësuese ligjore e Altin Ndocit, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Ëngjëllushe Tahiraj, me pretendimin se ka rrëzuar kërkesat e tyre dhe se nuk konsultohet me anëtarët e trupës gjykuese.

Ndërsa SPAK ka kundërshtuar duke kërkuar zëvendësimin e avokates së Altin Ndocit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Elda Zotaj ka për qëllim që të ndërpresë seancat.

"Të gjobitet avokatja Elda Zotaj, të njoftohet Dhoma e Avokatisë", tha SPAK.

Pas largimit të saj, gjykata u detyrua të ndërpresë procesin, duke e shtyrë seancën gjyqësore për ditën e enjte.

Në seancën e mëparshme e cila zgjati rreth dy orë dhe u shoqërua me debate të forta mes palëve, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për të vënë në dispozicion marrëveshjen e bashkëpunimit mes SPAK dhe të penduarit Endrit Alibej.

Gjithashtu, u miratua edhe dorëzimi i procesverbaleve të deklarimeve të dhëna nga Alibej në vitin 2022, përpara se të firmoste marrëveshjen e bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme.

Kujtojmë se edhe seanca e kaluar e këtij procesi u ndërpre pas një largimi demonstrativ nga salla të katër avokatëve të të pandehurve, të cilët më pas u ndëshkuan me gjoba nga gjykata.

Procesi ndaj Altin Ndocit dhe të bashkëpandehurve të tjerë në dosjen “Plumbi i Artë” vijon të përballet me pengesa dhe tensione të vazhdueshme, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet ditën e enjte.

Lini një Përgjigje