Kronike 6 Mars 2023, 18:39

Prokurori italian “zbërthen” mafien shqiptare: Kanë hyrë fuqishëm në trafikun e kokainës, po mbajmë të informuar SPAK-un

Shkruar nga Pamfleti

Prokurori italian “zbërthen” mafien shqiptare: Kanë

Prokurori e Drejtorisë së Antimafias në Bari, Francesco Giannella, ka hedhur dritë mbi  grupet kriminale shqiptare që operojnë në shtetin fqinj.

Në një intervistë për gazetarin Thimi Samarxhiu ai tregon se grupet shqiptare kanë evoluar dhe tani kanë në fokus kokainën. Ai ka folur dhe për bashkëpunimin me SPAK.

Intervista e plotë:

-Pyetje: Atëherë, le të flasim për Shqipërinë, për lidhjet që Italia dhe italianët e shqiptarët kanë me njëri-tjetrin, por nuk mund të shmangim lidhjet e kriminalitetit shqiptar dhe atij italian. Si kanë ndryshuar këto lidhje në vite, midis Italisë dhe Shqipërisë?

Përgjigje: Unë jam marrë prej shumë vitesh me marrëdhëniet ndërmjet kriminalitetit shqiptar dhe organizatave puljeze, i ndjek këto histori prej të paktën pesëmbëdhjetë vjetësh ose ndoshta edhe më shumë. Kanë ndryshuar, në kuptimin që në fillim ishin shumë më, si të themi, më artizanale këto marrëdhënie, e më tej janë zhvilluar më shumë, sepse ka ndodhur një rritje e organizatave kriminale shqiptare dhe italiane në botë, jo vetëm në Itali, dhe në këtë moment marrëdhëniet janë shumë të ngushta, nuk ka një marrëdhënie vartësie i njërit nga tjetri, por është një marrëdhënie i një aleance të përbashkët, në njëfarë mënyre. Pulja është vendi i parë i zbarkimit, natyrisht, i të gjitha trafiqeve të mëdha, sidomos i marihuanës, që vijnë nga Shqipëria, kështu që është e qartë që ka qenë e nevojshme një marrëveshje me organizatat puljeze. Por është një marrëveshje që i sheh këto role në evolucion, nuk janë gjithmonë konstante. Përsa i përket pastaj Rrethit të Barit, i cili përfshin provincën e Barit, të Tranit dhe të Foxhës, ka ndodhur një zhvendosje nga jugu në drejtim të veriut, i pikave të zbarkimit, sepse sa herë që zhvilloheshin operacione për t’i luftuar ato, drejtuesit vendosnin të ndryshonin udhën dhe të shkonin gjithmonë e më shumë në drejtim të veriut. E kështu, Pulja ka filluar me zbarkimet e para të lëndëve narkotike në Salento, më pas është ngjitur në provincën e Barit, e më pas u zhvendos në jug të provincës së Foxhës, me zbarkimet në zonën e Garganos. E më pas janë kryer zbarkime në të gjithë bregdetin e Adriatikut, edhe në Marke, gatë viteve të kaluara, kështu që ka një aftësi përshtatjeje nga ana e organizatave, të cilat, në fakt, u janë kushtuar edhe gjërave të tjera, me kalimin e viteve, kanë zhvilluar rrjetin e tyre, ato kanë filluar me heroinën, në vitet dymijë, le të themi. E më pas, ndodhi rritja e madhe e trafiqeve të marihuanës, e ndërkaq ekziston edhe biznesi i madh i kokainës, por ka një udhë krejt tjetër.

Pyetje:  Por, kur flitet për marihuanën, thuhet se ato ishin vite të arta për kriminelët nga Shqipëria që sillnin marihuanën, ndërsa tani thuhet se është pakësuar. Është e vërtetë apo jo që është pakësuar sasia e marihuanës që mbërrin nga Shqipëria?

Përgjigje: Duke parë sekuestrimet tona, duket se po. Ka pasur vite kur ne kemi sekuestruar tonelata marihuane dhe më pas ky trend ra disi. Ndërkohë që u rrit ai i kokainës, i cili, natyrisht, nuk ka të bëjë fare me zbarkimet, por që e ka prejardhjen pothuajse tërësisht nga Europa e Veriut, Hollanda, le të themi, ose nga Spanja, por përsa na përket neve, sidomos nga Hollanda.

Pyetje: Po lidhjet e shqiptarëve edhe përsa i përket udhës së kokainës, si janë, domethënë janë ende po ata që e komandojnë, e drejtojnë, këtë udhë të kokainës?

Përgjigje: Përsa u përket marrëdhënieve me klanet puljeze, mund të themi se kanë një rol paksa më të lartë, domethënë, janë ata që i menaxhojnë trafiqet e mëdha. Por më tej kanë nevojë për pika referimi në territorin tonë, për sa i përket më pas menaxhimit të tregut në territor. Dhe kështu, edhe gjatë zhvillimit të hetimeve të tjera, ne kemi pasur të dhëna të sigurta në referim me praninë e subjekteve shqiptare, duke filluar nga Holanda, e duke përfunduar te trafiqet e kokainës deri në Itali. Kemi pasur edhe rastin e një vrasjeje të kryer në Amsterdam, të një italiani nga një italian tjetër, në lidhje me trafiqe kokaine që e kishin prejardhjen nga Amsterdami, ku janë të përfshirë, në njëfarë mënyre, edhe klanet shqiptare dhe, mbi të gjitha, ato kolumbiane, që nga fillimi.

Pyetje: Ia kam bërë këtë pyetje edhe Prokurorit Cafiero De Raho dhe ai më ka thënë se po. Për ju, ekziston mafia shqiptare, si term mafie shqiptare, apo është një kriminalitet i organizuar?

Përgjigje: Ne nuk kemi ende një proces në të cilin të jetë deklaruar vepra penale që ne e quajmë 416 bis. Ka pasur një përpjekje, para shumë vjetësh, për të zhvilluar hetime të këtij lloji, por që nuk ka dhënë rezultate. Le të themi se ne tani, nga pikëpamja e fakteve të sigurta gjyqësore, e konsiderojmë kriminalitetin shqiptar si një kriminalitet që i është përkushtuar trafiqeve ndërkombëtare të lëndëve narkotike, domethënë ai që për ne i referohet nenit 74.

Pyetje: Pavarësisht neneve, nga ajo që ju shikoni, mund të thuhet se...

Përgjigje: Mund ta themi mbi bazën e një vendimi gjyqësor. Për aq kohë sa nuk do të kemi një vendim, nuk mund të themi që kriminaliteti shqiptar është i tipit mafioz. Nuk mund ta themi këtë, as nuk mund ta përjashtojmë.

Pyetje: Përsa i përket evolucionit të kriminalitetit shqiptar, këto ditë cili është fokusi më i madh i kriminalitetit shqiptar këtu në Bari, përveç kokainës, po prostitucioni ekziston sërish apo jo?

Përgjigje: Nuk merrem me prostitucionin, le të themi se sektori im nuk merret me këtë çështje, kështu që nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Ndërsa përsa i përket kriminalitetit shqiptar në Pulja, e në Bari në mënyrë të veçantë, ai i është përkushtuar gjithmonë trafiqeve të lëndëve narkotike, por po e përsëris, në kanalin e dyfishtë, marihuana nga Shqipëria dhe kokaina nga Europa e Veriut. Evolucionet janë ndjekur sidomos në hetimet që ne kemi zhvilluar me kolegët shqiptarë, me të cilët kemi disa skuadra të përbashkëta hetimore, me anën e të cilave përpiqemi të ndjekim udhët e trafikut drejtpërdrejt nga Shqipëria, ende përpara se të mbërrijnë në Shqipëri. Dhe, në këtë kuptim, marrëdhëniet e bashkëpunimit me SPAK-un janë të një rëndësie themelore. Do të thosha se kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve të fundit.

Pyetje: Po, janë të paktën tri operacione që unë mbaj mend, KULMI, SHEFI dhe SHPIRTI. Tri operacione këto, falë të cilave kanë përfunduar në burg shumë persona në Shqipëri dhe në Itali. Por nga të gjitha këto operacione, vihen re lidhjet, sepse në një nga këto operacione është arrestuar madje edhe një prokuror. Domethënë, lidhjet, nga ajo çka ju shikoni dhe keni arkivuar, keni dokumentuar, lidhjet, pra, që kanë policët e korruptuar, prokurorët e korruptuar, por edhe të tjerë, a janë të forta?

Përgjigje: Ne u kemi sinjalizuar autoriteteve shqiptare disa gjëra që ishin shfaqur gjatë hetimeve tona. Ua kemi sinjalizuar atyre, u kemi dërguar kopje të dokumetacionit, kopje të përgjimeve, nga të cilat shfaqeshin, si të thuash, dyshime shumë të rënda kundrejt disa personave që duhej të përfaqësonin institucionet. E më pas, mbi këtë, kanë proceduar autoritetet gjyqësore shqiptare, të cilat kanë vepruar. Prandaj, ekzistencën e këtyre lidhjeve ne e kemi dalluar, e kemi kapur në njëfarë mënyre gjatë hetimeve tona, ajo që ka ndodhur do të jetë më pas detyrë e autoriteteve gjyqësore të përcaktohet. Kështu që ne presim të marrim dijeni nëse provat tona më pas kanë dhënë rezultate në Shqipëri, ne nuk mund të procedojmë në Itali personazhe publike shqiptare, nuk ndodh kjo. Kjo ndodh në Shqipëri, edhe falë hetimeve tona, kështu që do të shohim se cfarë do të ndodhë në proceset që do të zhvillohen në Shqipëri.

Pyetje: Por, a keni besim, në kuptimin që, po jua bëj pyetjen në lidhje me faktin që ju i keni dërguar informacionet, para disa vjetësh Prokuroria rezervohej me dërgimin e informacioneve në Shqipëri, pasi kishin frikë mos këto bëheshin publike dhe përgjegjësit ia mbathnin. Ju tani e keni krijuar besimin tek autoritetet në Shqipëri?

Përgjigje: Po, gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar shumë gjëra. Marrëdhëniet me kolegët shqiptarë, me prokurorët e SPAK-ut, në mënyrë të vecantë, janë bërë të shkëlqyera, ne punojmë shumë mirë së bashku. Shpresojmë që të mund të vazhdojmë të punojmë kështu. Në të kaluarën kanë qenë ca vjet kur ekzistonte një mosbesim i madh. Është paksa sic ndodh gjithmonë në marrëdhëniet ndërkombëtare ndërmjet autoriteteve gjyqësore, në fillim ekziston gjithmonë një ndjenjë dyshimi, frike, fliten gjuhë të ndryshme, jo vetëm në nivel gjuhësor, por edhe pikërisht si mendësi të ndryshme. Dhe ka pasur disa vjet kur këto marrëdhënie nuk arrinin të përftonin rezultate, madje përkundrazi, nganjëherë kemi pasur edhe dyshime se trafikantët e mëdhenj, kapot e mëdhenj, arrinin t’ia hidhnin përherë, të shpëtonin paq, dhe natyrisht kishte dyshime se ekzistonin fenomene korrupsioni, favorizimi. Tani gjërat kanë ndryshuar, sidomos gjatë tre vjetëve të fundit dhe rezultatet janë të shkëlqyera. Natyrisht, ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Frika, pra frika e korrupsionit, ekziston gjithmonë. Por kjo ekziston në cilindo vend të botës, jo se në Shqipëri mund të jetë ndryshe, mund të jetë më shumë apo më pak. Mund të ketë një pjekuri kulturore, një prirje më të madhe drejt ligjshmërisë, le të themi, por proceset demokratike, proceset e ligjshmërisë, janë procese të gjata.

Pyetje: Është perceptimi që ka në Shqipëri që, përvec SPAK-ut, presim gjëra të mëdha nga SPAK-u. Kanë kaluar tre vjet dhe nuk kemi parë asnjë politikan të korruptuar të arrestuar. Dhe, nga kjo anë, domethënë, njerëzit, shohin nga ju, nga partnerët tanë, nga Italia, nga Shtetet e Bashkuara, nga partnerët tanë që na ndihmojnë, shohin shpresën që ju të na ndihmoni, si në rastin e operacionit SHPIRTI, të prokurorit të treguar atje. Shohin nga ju shpresën që të mund të gjenden dhe të tregohen personazhet e korruptuar. Është një përgjegjësi kjo për ju?

Përgjigje: Po, po, është një përgjegjësi, sepse ndërkohë ne jemi vërtet shumë afër, ky fakt që ne ndodhemi vërtet shumë afër, ja, kaq afër nga deti, në njëfarë mënyre na bën të lidhur, përjetësisht të lidhur. Ne jemi shumë të interesuar për faktin që në Shqipëri ka një zhvillim demokratik, një zhvillim të ligjshmërisë, i cili të na shpjerë më tej edhe në një rrugëtim të përbashkët, mbase në kuadrin e Bashkimit Europian. Ne të gjithë urojmë që Shqipëria të arrijë të futet në Bashkimin Europian. Dhe pastaj, unë besoj se e ardhmja do të jetë që Shqipëria do të ecë me këmbët e veta, domethënë do të arrijë me forcat e veta edhe të zbulojë personazhet e korruptuara dhe t’i dënojë ata. Do ta bëjë këtë gjë dhe, nëse do të jetë e nevojshme, ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë kërkim me anën e hetimeve tona, por do të duhet të ketë gjithmonë një bashkëpunim. Bashkëpunimin e bëjnë njerëzit, institucionet, sic thonë shumë vetë, ecin mbi këmbët e njerëzve. Njerëzit duhet të jetë ata të duhurit dhe duhet të jetë ata që kanë gjithë qëllimet e mira për të bashkëpunuar dhe duhet të jenë të besuar. Në qoftë se ky bashkëpunim do të vazhdojë, do të arrijmë rezultate të mëdha, besimi do të rritet, edhe te popullsia shqiptare, që shpresoj, mbas pak vjetësh, nuk do të ketë më nevojë as për italianët, as për amerikanët, për të gjetur njerëzit e vet të korruptuar. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, për ta bërë këtë, duhen mjetet.

Pyetje:  Mjetet? Cilat janë mjetet?

Përgjigje: Mjetet janë, mbi të gjitha, mjetet teknologjike, për shembull. Unë di që në Shqipëri, për shembull, mungojnë mjetet për të zhvilluar hetime depërtuese, si edhe për të kryer përgjime, përgjime mjedisore, përgjime telematike. Sot për sot, kjo veprimtari hetimore ka një rëndësi themelore. Përgjimet telefonike nuk shërbejnë më pothuajse për asgjë, le të themi të vërtetën.

mafie prokuror kokaine spak