TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Mars 2026, 21:44

Protesta e opozitës, reagon Policia: 6 efektivë të plagosur, dënojmë ashpër dhunën

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e opozitës, reagon Policia: 6 efektivë të plagosur,
Pamje nga protesta

Policia e Shtetit ka reaguar pas protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike, duke bërë të ditur se gjatë tubimit janë regjistruar akte dhune ndaj forcave të rendit.

Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e përplasjeve me protestues janë lënduar 6 punonjës policie.

Bëhet me dije se të dëmtuarit janë efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore. Mësohet se ata po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Autoritetet bëjnë të ditur se gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia thekson se gjatë tubimit, protestuesve u janë bërë thirrje të vazhdueshme, që të shmangnin aktet e dhunës dhe të mos sulmonin efektivët me bomba molotov dhe lëndë piroteknike.

Sipas policisë, pavarësisht thirrjeve, një pjesë e pjesëmarrësve kanë vijuar me sulmet ndaj forcave të rendit, duke sjellë përshkallëzimin e situatës.

Në përfundim, autoritetet dënojnë ashpër aktet e dhunës së ushtruara ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve shtetërore.

"Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.

Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit, gatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar.

Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore", thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, aktualisht raportohet se 13 persona janë shoqëruar nga policia, për akte dhune në protestën e organizuar nga Partia Demokratike.

Lini një Përgjigje