Katër persona të arrestuar pas protestës së 28 shkurtit janë liruar nga qelia, ndërsa gjykata ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Bëhet fjalë për Leonardo Markun, Robespier Dervishajn, Doris Ristën dhe Sergei Rapon, të cilët u ndaluan pas ngjarjeve të asaj dite.
Protesta u shoqërua me tensione dhe akte dhune në disa zona të Tiranës. Gjatë tubimit u regjistruan sulme me molotovë ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, ku ndodheshin 10 artistë dhe pjesëtarë të stafit, si dhe dëmtime të bizneseve private dhe koshave të mbeturinave.
Përplasje pati edhe mes protestuesve dhe forcave të Policisë, kryesisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në zonën e ish-Bllokut, ku efektivët u goditën me gurë dhe sende të forta.
Ndryshe nga protesta të tjera, tubimi i 28 shkurtit nuk pati fjalime politike nga një podium, por u zhvillua në formën e një marshimi në disa zona të kryeqytetit. Në një moment, situata u përshkallëzua me hedhje molotovësh dhe fishekzjarrësh në drejtim të vilës së Enver Hoxhës.
Protestat e fundit të organizuara nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha janë shoqëruar me incidente të dhunshme, ku janë raportuar sulme ndaj forcave të rendit, institucioneve dhe pronës private.
Lini një Përgjigje