Policia ka bastisur shtëpinë e motrës së Mustafa Licit në Shkodër, i cili dyshohet se është pas vrasjes së sotme në Shkodër ku mbetën të vrarë 2 persona dhe 2 të tjerë të plagosur.
Sipas informacioni i siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, mësohet se gjatë kontrollit janë gjetur 4 armë.
Ragip Gila, autori i vrasjeve dyshohet se vepronte për llogari të Lulzim Kullës, dhëndër në familjen Lici.
Mësohet se janë shoqëruar disa persona, mes tyre dhe Barush Bregu.
Në deklaratën e tij të parë, dhënë në polici, autori i krimit Ragip Gila është shprehur se objektivi i tij ka qenë vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të..
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më ka kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të”, ka thënë autori i dyshuar Gila pas marrjes në pyetje në polici.
Si ndodhi atentati?
Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur autori qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre.
Truproja e Erogen Brajoviç mbeti i vdekur në vend.
Autori ka qenë i armatosur me dy armë, si dhe ka pasur të veshur antiplumb. Ai ka hyrë brenda në lokal dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Më pas, autori ka dalë jashtë nga dera e dytë e lokalit, në një rrugicë pas Bashkisë së Shkodrës, ku me armë në duar ka ecur për disa metra. Motorin me të cilin mbërriti në vendin e ngjarjes e ka braktisur dhe nën kërcënimin e armës ka grabitur automjetin me të cilin është larguar, një “BMW” ngjyrë gri.
Gjatë rrugës në ikje, ai është përplasur me dy automjete, e pasi ka mbërritur në lagjen Skënderbeg, ka braktisur mjetin dhe në këmbë ka tentuar të largohet nga lumi Kir. Policia përmes forcave Shqiponja, ka arritur ta ndalojë 29-vjeçarin Ragip Gila. Ky është ndër të paktat raste, kur në atentate të tilla të mirëmenduara, autori bie në pranga në kohë rekord. Dhe kjo, pasi plani nuk i shkoi si duhet.
Kush është autori?
Ragip Gila është emër i njohur për policinë. I arrestuar në fund të dhjetorit 2023 me një arsenal të tërë armësh në Shkodër, ai u lirua nga burgu më 4 mars të këtij viti.
Lini një Përgjigje