Një konflikt fizik në lagjen “Pavarësia” në Vlorë përfundoi me vdekjen e një 63-vjeçari. Viktima Ismail Aliaj humbi jetën në spital si pasojë e goditjeve në fytyrë dhe në grykë. Djali i tij mbeti i lënduar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut. Autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia po vijon kërkimet.
Detaje të reja nga sherri i dhunshëm në zonën e njohur si lagja Pavarësia, ku tre persona u përfshinë në një përplasje fizike. Mësohet se 63-vjeçari Ismail Aliaj ka ndërruar jetë në ambientet e Spitalit të Vlorës.
Sipas burimeve mjekësore, ai ka marrë goditje në pjesën e fytyrës dhe të grykës, plagë të cilat kanë rezultuar fatale, duke mos mundur t’i mbijetojë dëmtimeve.
Ndërkohë, djali i viktimës ka mbetur i lënduar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve, mësohet se të tre personat e përfshirë në konflikt ishin të njohur me njëri-tjetrin.
Sipas informacioneve paraprake, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas incidentit, duke u drejtuar në drejtim të autostradës.
Policia e Vlorës në njoftimin e saj ka bërë të ditur se i ka identifikuar dhe është vënë në ndjekje të tyre.
"Sot, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur “Rruga e Çipave”, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi B. A., 63 vjeç, është goditur me grushte nga dy shtetas, tashmë të identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi B. A, ka humbur ndjenjat dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku më pas ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes."-njofton policia.
Lini një Përgjigje