
Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka ndezur zjarr në malin e Shashicës.
Sipas policsë, në pranga u vu Elmaz Fejzaj, 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave në një kullotë në Shashicë dhe më pas zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.
“Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan shtetasin E. F., 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë.
33-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave, në një sipërfaqe toke kullotë në pronësi të tij, në vendin e quajtur “Gryka e Zguros”, në malin e Shashicës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme, me shkurre dhe bimësi të dendur. Zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Vlorës.
Lini një Përgjigje