TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Qershor 2025, 08:28

Skeda/ Kush është Martin Kaza që vrau vëllezërit Gjini për hakmarrje dhe u fsheh në Londër për 18 vite

Shkruar nga Pamfleti
Skeda/ Kush është Martin Kaza që vrau vëllezërit Gjini
Martin Kaza

Martin Kaza u ekstradua nga Britania e Madhe në vendin tonë, në 29 dhjetor të vitit 2017.

Martini është arrestuar teksa fshihej në Londër të Anglisë dhe ende po e vuan dënimin në burg, por kjo nuk e ndali sagën e gjakmarrjes.

Më datë 7 Janar të vitit 1994 qyteti i Rrëshenit u trondit nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ai u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Shtypi i shkruar i kohës raportonte se vrasja ndodhi pasi Shefi i Krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale.

Por 3 vite më vonë, pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit vëllai i Komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Mediat raportonin se ngjarja ndodhi mesditën e 3 Korrikut të vitit 1997, ku sipas tyre, në atentat kishin marrë pjesë dy persona. Pas 4 vitesh, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfishtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg.

Sipas të dhënave  Martin Kaza jetonte në Britani të Madhe që prej vitit 2001. Disa vite pasi vrau vëllezërit Agustin dhe Dod Gjini, ai u arratis drejt Anglisë për të kërkuar azil, duke pretenduar se ishte refugjat lufte nga Kosova. Ai përdorte identitetin e rremë Naim Karagjia.

Pasi mbërriti në Britani, në vitin 2008 Kaza u martua me zonjën Majlinda Dule. Martin Kaza është baba i tre fëmijëve të lindur në Britani të Madhe. Ai bënte punë të ndryshme në restorante, lavazhe dhe punonte në ndërtim.

Pas arrestimit të tij nga autoritetet angleze me qëllim ekstradimin në Shqipëri, avokati i Martinit apeloi çështjen në Gjykatën e Lartë angleze. Procesi gjyqësor për ekstradimin e tij drejt vendit tonë zgjati 10 muaj. Gjatë seancave gjyqësore, Kaza ishte shprehur se ekstradimi i tij nga Anglia ku kishte punuar për 18 vite, shkelte të drejtat e njeriut dhe ishte i pajustifikuar.

Po ashtu, ai i tregoi gjykatës se për t’iu shmangur familjes Gjini me të cilën ishte në hasmëri, pasi në 1994 ata i kishin vrarë vëllain Ndue Kaza, oficer policie, ai ishte fshehur në Greqi. Martin Kaza, si pjesë të mbrojtjes për të shmangur ekstradimin i tregoi gjykatës se e kishin goditur 4 herë me thikë dhe kishte përfunduar në koma pasi ishte dëbuar nga Greqia. Megjithatë, gjykata angleze nuk u bind nga argumentimet e Martin Kazës dhe vendosi ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin në Shqipëri.

Kaza ishte dënuar për veprën penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” si dhe “armëmbajtje pa leje” parashikuar në nenet 78, 278/2 dhe 25 të Kodit Penal.

 

martin kaza vrau vëllezërit gjini

Lini një Përgjigje