Kronike21 Maj 2023, 19:10

SPAK dërgon sërish për gjykim Nuredin Dumanin dhe Talo Çelën

Shkruar nga Pamfleti
SPAK dërgon sërish për gjykim Nuredin Dumanin dhe Talo

Prokuroria e Posaçme ka dërguar sërish në gjykatë dosjen ndaj Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, duke i akuzuar ata si drejtues të grupit kriminal, që në 2020 vrau dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia si dhe Anxhelo Avdinë e Dorjan Shkozën në Durrës.

Gjykata e Posaçme e refuzoi kërkesën e parë të SPAK në Maj të 2022, duke i dhënë fillimisht 6 muaj kohë të qartësonte kontradiktat mes dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Nuredin Dumanit dhe Klevis Allës.

Të dy ata tregonin të njëjtat rrethana të vrasjes së vëllezërve Haxhia, por përfshinin persona të ndryshëm.

Alla i kishte thënë drejtësisë se në vrasjen e vëllezërve Haxhia ishte organizator Talo Çela dhe ekzekutorë tre persona të tjerë, teksa Dumani implikonte veten dhe Henrik Hoxhajn, duke bërë kështu të paqartë rolet në ngjarje.

Disa javë më parë Klevis Alla u tërhoq nga dëshmia e parë dhe përballë Gjykatës mbështeti versionin e dhënë nga Nuredin Dumani.

Verifikimet e kryera, sipas SPAK, treguan se gjatë 2020 kulmuan kontradiktat mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, të cilët kishin bashkëpunuar si drejtues të grupit të vrasësve me pagesë, të cilët në këtë kohë ishin ndarë në dy grupe duke prodhuar dy vrasjet.

Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për marrjen e tyre të pandehur në datën 30 Maj.

spak talo cela nuredin dumani