
Zbardhet e shkuara kriminale e 3 të dënuarve që u përplasën me armë zjarri në Burgun e Peqinit.
Raportohet se Sokol Mjaçaj ka qëlluar me pistoletë ndaj dy të dënuarve të tjerë Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi. Këta dy të fundit janë plagosur rëndë, teksa më pas Lleshi ndërroi jetë. Sipas të dhënave të “Pamfletit”, bëhet fjalë për 3 të dënuar me precedent të theksuar kriminal.
Sokol Mjaçaj u dënua për vrasjen e dy turistëve në Shkodër, ndërsa Shaqja ka një të shkuar të theksuar kriminale i dënuar për vrasjen makabre të dy kunatave në qytetin e Durrësit me qëllim grabitjen e tyre. Ndërsa Arben Leshi është dënuar në Angli për vrasje.
Sokol Mjacaj
Sokol Mjaçaj është dënuar nga gjykata si autor i vrasjes së dy turistëve çekë, Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe me qëllim grabitjen e mjetit të tyre fuoristradë. Ngjarje kjo e ndodhur në korrik të vitit 2015, në zonën e Dukagjinit, në Shkodër.

Më datë 3 korrik 2015, Sokol Mjaçaj me banim në fshatin Lotaj, ka vendosur të dalë në rrugë për të grabitur ndonjë makinë me turistë në zonën e Dukagjinit. Me vete ka marrë automatikun dhe dy karikatorë që i mbante në shtëpi, i ka futur në një çantë sportive.
Aty ka kaluar mjeti tip Nissan Patrol, ngjyrë gri, me targë Çeke CZ 4P89798, me udhëtarë viktimat Michal Svatos dhe Anna Kosinova. Mjacaj i ka përshëndetur shtetasit në fjalë, e më pas iu ka kërkuar (duke komunikuar me shenja) që ta merrnin në makinë por, drejtuesi i mjetit i ka bërë shenjë se nuk kishte vend dhe nuk e ka marrë, duke tentuar të vazhdojë lëvizjen me makinë. Po ai ka mundur të hyjë më forcë.
Kjo e ka nervozuar viktimën Michal Svatos, i cili e ka zbritur nga mjeti të pandehurin. Në këtë moment, i pandehuri Sokol Mjaçaj ka nxjerrë automatikun nga çanta dhe ka qëlluar në ajër disa herë, duke e detyruar viktimën ta ndalojë mjetin. Pasi ka hyrë në mjet, i pandehuri është ulur pas pasagjerit dhe shoferit, duke mbajtur automatikun e mbushur, me fishekë në fole, në drejtim të dy viktimave. Po ashtu, në momentin që ka hipur në mjet, iu ka marrë këtyre shtetasve aparatet celularë, në mënyrë që ata mos kishin mundësi të lajmëronin rreth këtij fakti, duke planifikuar që t’i grabiste sapo të afrohej në zonën e quajtur “Ura e Shtrenjtë”, pasi nga kjo zonë mund të largohej më lehtësisht në drejtime të ndryshme. Rreth mbrëmjes, në momentin që mjeti është afruar afër zonës së quajtur “Ura e Shtrenjtë”, Michal Svatos ka bërë disa manovrime me mjet.
Për këtë arsye, Mjacaj, duke menduar se viktima Michal Svatos, me këto veprime ka dashur t’i marrë automatikun, e ka qëlluar këtë shtetas dy herë me armë zjarri e më pas ka qëlluar një herë pasagjeren Anna Kosinova, duke iu shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Arben Lleshi
Ndërsa Arben Lleshi, u ekstradua në vitn 2016 nga Britnai, ku ishte dënuar me 32 vite burg për vrasjen e një bashkatdhetari, ngjarje e ndodhur disa vite më parë.

Ai është autori i vrasjes së Agim Hoxhës, në 10 prill 2012. Mediat britanike shkruanin atëherë se Hoxha u vra në një apartament në qytetin anglez të Southempton, dhe më pas, trupi i tij u dogj në një makinë tip “Mercedes Benz”.
Për këtë ngjarje është dënuar me burg edhe vëllai i Lleshit, 39-vjeçari Afrim Lleshi, i cili ka pranuar para gjykatës se ka bashkëpunuar në shfarosjen e trupit të viktimës.
Shkaku i vërtet i vrasjes nuk është asnjëherë i ditur nga vëllezërit. Në procesin gjyqësor të zhvilluar tre vite më parë, u dëgjua se si autori i vrasjes, i cili mohoi akuzën, kishte shkuar ditën e krimit për të blere një levë dhe tela, si dhe materiale të tjera që ai i ka përdorur për vrasjen dhe djegien e trupit të viktimës në një makinë Mercedez. Pas vendimit, familja e Hoxhës, tha në një deklaratë se, “ajo që kërkonim ishte drejtësi për Agimin dhe drejtësia sot u dha. Tani shpirti i Agimit mund të prehet në paqe”. Sipas raportimeve të mediave britanike, dy vëllezërit Leshi merreshin me droge, veprimtari të cilën e kishin filluar që kur ishin adoleshentë.
Në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi, babai i të riut që iu gjet sot trupi. Xhavit LLeshit iu bë pritë në vendin e quajtur ‘Pujkë’. Më 15 maj të vitit 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit, në fshatin e lindjes në Burrel. Goditjet nga familja Hoxha vijuan dhe një vit më vonë. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz. Në Kamëz ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo nuk dihet se çfraë ka ndodhur me të.
Deri në vitin 2017, drejtësia e kishte bërë punën e saj, por edhe familja Hoxha gjithashtu. Djemtë e familjes Lleshi ishin ‘shuar’, por Klevisi po rritej. Mbi shpatullat e djalit që ishte ende një fëmijë rëndonte barra për të vënë drejtësi, për të marrë hak për babain e xhaxhain e vrarë dhe kushëririn e zhdukur. Por Burreli është i vogël, zërat përhapen shpejt dhe planet e Klevisit kishin mbërritur në veshin e fisit Hoxha gjithashtu. Kështu, kur Klevisi s’kishte mbushur ende 22 vjeç dhe sapo kishte nisur të bënte përplasjet e para për të fituar terren, u zhduk. Sot, dy vite më vonë u gjet i vrarë e i groposur…
Autorët? Familja shënjestroi fisin Hoxha, madje nëna e tij që në momentin që u zhduk tha se shoqëria ia kishte ‘tradhëtuar’ të birin e ia kishte nxjerrë në ‘prite’ te armiku. Deri më tani, drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj për tre të vrarë tashmë dhe një të zhdukur.
Indrit Shaqja
Ai rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen makabre të dy kunatave në qytetin e Durrësit me qëllim grabitjen e tyre.

Përveç tij, me burg të përjetshëm u dënuan edhe Vilson Elmazi dhe Artur Kaçanolli. Indrit Shaqja i ekstraduar nga Spanja ka marrë përsipër krimin dhe ka thënë se Vilson Elmazi dhe nipi i të moshuarave Artur Kacanoli nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e tyre. Më 2 shtator të vitit 2014, tre të dënuarit torturuan e vranë dy kunatat, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç. Shaqja, nga Shijaku, Velson Elmazi nga Elbasani, kushëriri i tij dhe nipi i dy viktimave, Artur Kacanolli kanë marrë dënimin maksimal në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.
Me një vit burg gjykata dënoi edhe bashkëshorten e Indrit Shaqjes, Valbonën, për fshehje të krimit. Për asnjë moment mbrojtësi i Artur Kacanollit nipit të të moshuarave, nuk pranoi akuzat e bëra nga prokuroria, duke sjellë në vëmendje prova e procesverbale që sipas tij nipi i të moshuarave nuk ishte në dijeni për krimin e kryer nga Indrit Shaqja dhe i pandehuri Elmazi. “Më datë 02.09.2014 rreth orës 06:20 është konstatuar fakti i vdekjes në banesën e tyre të shtetaseve Gjenovefa Vava dhe Elsa Vava. Vdekja e tyre ishte shkaktuar nga dhuna fizike e ushtruar mbi to e kombinuar kjo me asfiksinë mekanike.
Vdekja e tyre kishte ardhur si pasojë e veprimeve të kryera me qëllim vjedhjen e florinjve, parave dhe sendeve të tjera me vlerë të ndodhura në banesën e viktimave. Autorë të kësaj ngjarjeje janë evidentuar të pandehurit Indrit Shaqja, Velson Elmazi, Artur Kaçanolli, të cilët kanë bashkëpunuar secili në rolet e tyre për kryerjen e veprës penale.
/Pamfleti
Lini një Përgjigje