
Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për personat e arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Grupi”, të akuzuar si të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë krime kundër personit dhe trafik narkotikësh.
Gjatë aksionit u arrestuan gjashtë persona: Florian Shala alias Florian Alliaj, Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj, Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula, Miço Beqaraj, Turi Aligjoni dhe Dritan Çelaj.
Vendimi u dha gjatë seancës së zhvilluar këtë të enjte, e cila u drejtua nga gjyqtarja Renata Koçaqi. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës më të rëndë të sigurisë ndaj të dyshuarve.
E njëjta masë sigurie është vendosur edhe ndaj personit të përfshirë në plagosjen e ndodhur të dielën pranë rrethrrotullimit të lagjes “24 Maji” në Vlorë.
Me këtë vendim, organi gjyqësor ka lënë në fuqi qëndrimin e Prokurorisë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe përgjegjësive të personave të përfshirë vijojnë.
Sipas policisë, ndërhyrja u organizua pas informacioneve operative që tregonin se persona me precedentë penalë lëviznin të armatosur dhe përdornin automjete të blinduara. Mes të arrestuarve ndodhet edhe Aleksandër Dula, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Ai rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit e Leçes me 6 vjet e 8 muaj burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në të njëjtin operacion u vunë në pranga edhe Turi Aligjoni, 55 vjeç, dhe Dritan Çelaj, 48 vjeç, të dy të shpallur në kërkim në Shqipëri. Sipas hetuesve, Aligjoni dyshohet si autor i plagosjes me armë zjarri të një 26-vjeçari në Vlorë më 7 qershor. Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi katër armë zjarri të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, shtatë telefona celularë, 1.850 euro cash dhe tre automjete, dy prej të cilave me targa të huaja. Një nga mjetet e bllokuara rezultoi i blinduar.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se automjeti “BMW X5”, i sekuestruar gjatë operacionit, dyshohet se është përdorur nga Turi Aligjoni për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes së 26-vjeçarit F.L., ngjarje e regjistruar në Vlorë vetëm pak ditë më parë.
Lini një Përgjigje