Policia e Tiranës ka intensifikuar operacionin për gjetjen e Eglant Koçit, duke përqendruar kërkimet në disa zona malore në periferi të kryeqytetit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, kontrollet po zhvillohen kryesisht në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, dy zona që frekuentoheshin shpesh nga Armand Shakaj, personi i dyshuar në këtë çështje.
Hetuesit janë orientuar drejt këtyre zonave edhe pas dëshmive të banorëve lokalë, të cilët kanë deklaruar se kanë parë automjetin e Shakajt në afërsi të Pëllumbasit. Kjo ka bërë që forcat e policisë të zgjerojnë perimetrin e kërkimeve dhe të kryejnë kontrolle të imtësishme në terren.
Ndërkohë, verifikimet në sistemin TIMS kanë treguar se 41-vjeçari nuk ka dalë jashtë territorit shqiptar, duke forcuar dyshimet e autoriteteve se ai mund të jetë ende i fshehur brenda vendit.
Sipas hetuesve, bëhet me dije se Shakaj vuan nga një problem shëndetësor. Për këtë arsye, policia ka kërkuar bashkëpunimin e institucioneve shëndetësore publike dhe private, duke i vendosur ato në gatishmëri në rast se ai paraqitet për të marrë trajtim mjekësor.
Kërkimet dhe hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur fatin e Eglant Koçit dhe për të lokalizuar personin e dyshuar.
Lini një Përgjigje