
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka sekuestruar pasuritë e paluajtshme të Nikolla Hafësllari dhe personit të lidhur, Erjol Mekshi.
Sipas njoftimit të SPAK, Hafësllari akuzohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
SPAK bën me dije se pasuritë e luajtshme të sekuestruara janë dy garazhe në rrugën ‘Pjetër Bogdani” në Tiranë dhe automjet tip “Audi”, modeli A6, viti i prodhimit 2005. Gjithashtu janë sekuestruar dy apartamente në rrugën “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.
Nikolla Hafësllari, u arrestua për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, së bashku me katër persona të tjerë. Ata kërkuan pesë mijë euro për të ndërhyrë pranë Gjykatës së Apelit të Korçës për të lehtësuar masën e sigurisë së Blerand Kozicit, i vënë në pranga për trafik klandestinësh.
Njoftimi i SPAK:
SPAK sekuestron pasuritë e një shtetasi të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur ankimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për procedimin pasuror nr.9 të vitit 2025, për të cilin vijojnë hetimet. Procedimi ka të bëjë me sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të shtetasit, Nikolla Hafësllari dhe personit të lidhur, Erjol Mekshi.
Shtetasi Hafësllari akuzohet për veprën penale; “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim (nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal).
Ankimi është bërë kundër vendimit nr.18 datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Gjykata e Apelit me vendimin 262, datë 2.12.2025 vendosi:
Ndryshimin e vendimt nr.18, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë dhe pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për:
Sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:
Garazh me nr 6, kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,
Garazh me nr.7 , kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,
Automjet i markës “Audi”, modeli A6, viti i prodhimit 2005.
Apartament, nr.19/1, shkalla 2 kati III, me sip totale 87.89 m2, me adresë të pasurisë, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.
Apartament, nr 21, shkalla 2 kati III, me sip totale 61.89 m2, me adresë të pasurisë, rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.
Për ekzekutimin e këtij vendimi janë ngarkuar oficerët e Policisë Gjyqësore dhe përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme ngarkohen administratorët e kësaj agjecie.
Lini një Përgjigje