Kronike 3 Prill 2023, 20:22

Tjetër ngjarje kriminale trondit vendin, 40-vjeçari plagos me thikë babë e bijë dhe një shtetas italian

Shkruar nga Pamfleti
Tjetër ngjarje kriminale trondit vendin, 40-vjeçari plagos me
Foto ilustrim

Një tjetër ngjarje kriminale ka tronditur vendin. Vrasjet dhe plagosjet muajin e fundit janë bërë të modës dhe sot nuk kishte si të ndodhte ndryshe.  

Një 40-vjeçar ka plagosur me thikë brenda një lokali, babanë, vajzën dhe burrinë italian të kësaj të fundit.

Autori është identifikuar si Elton Mergjushi, ndërsa të plagosur kanë mbetur 64 vjeçari Viktor Rrapollari, i cili mësohet se ka marrë një goditje me thikë në zemër dhe ndodhet në intubim, në gjendje të rëndë për jetën; si dhe vajza e tij 40 vjeçare Roxhersa Rrapollari dhe një shtetas italian Massimo Sorvillo. Ky i fundit është bashkëshorti i Roxhersës. Ndërkohë është shpallur në kërkim autori 40 vjeçar, i cili pas plagosjes është larguar nga vendi i ngjarjes.

Dyshimet paraprake janë se mes autorit dhe shtetasit italian ka pasur një konflikt. Massimo Sorvillo ka një biznes për përpunimin e qumështit në Tiranë dhe dyshimet janë se Elton Mergjyshi ka punuar prej kohësh në atë biznes, por që së fundmi ishte shkarkuar nga detyra. Ky dyshohet se është shkaku i sherrit që më pas ka degraduar në përdorimin e thikës.

Më datë 03.04.2023, në Laprakë, në një lokal, shtetasi E. Gj., 40 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasit V. Rr., 64 vjeç, R. Rr., 40 vjeç dhe shtetasin M. M., 47 vjeç. Si pasojë 3 shtetasit janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë po kontrollojnë në zonë për kapjen e autorit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

plagosje tirane