
Fshati Gryksh i Madh në Peqin ndodhet në zi pas humbjes tragjike të 4 anëtarëve të një familje shqiptare në Itali. Lajmi për vdekjen e tyre ka tronditur komunitetin, duke sjellë dhimbje në çdo familje të zonës.
Banorët e fshatit tregojnë se familja kishte rreth tre vite që jetonte në Itali, ndërsa më herët kishte punuar sezonalisht në Greqi. Sipas tyre, largimi kishte qenë i diktuar nga nevoja për mbijetesë dhe një jetë më të qëndrueshme.
“Këto janë plagët e emigrimit. I nisëm fëmijët me duart tona dhe tani na kthehen me arkivol”, shprehen fqinjët, duke iu referuar sakrificave të vazhdueshme dhe pasigurisë që shoqëron emigrimin.
Ata kujtojnë se familja kishte ardhur për festën e ndërrimit të viteve dhe ishte ndarë me të afërmit mes urimeve dhe shpresave për të ardhmen. Sot, këto takime të fundit përmenden si kujtime të dhimbshme.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Luccas në Itali, ku Arti Kola, Jonida Kola dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar dhe Xhesika Kola, humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit nga kaldaja e banesës. Sipas autoriteteve italiane, katër anëtarët e familjes u gjetën pa shenja jete në momentin kur karabinierët hynë me forcë në apartament.
Tragjedia ka prekur edhe institucionet vendore italiane. Kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, reagoi publikisht duke shprehur solidaritetin e komunitetit.
“Jemi të gjithë të shokuar dhe të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike. Komuniteti ynë bashkohet me të afërmit dhe miqtë në një përqafim simbolik për këtë humbje të rëndë. U prehshin në paqe, të gjithë së bashku”, deklaroi ai për "News 24".
Fornaciari rikujtoi se bashkia e Porcarit kishte përjetuar një tragjedi të ngjashme 34 vite më parë, kur familja italiane Malanca humbi katër anëtarë për shkak të monoksidit të karbonit nga një kaldajë me defekt. Në zonë ndodhet sot një park publik që mban emrin e tyre, si kujtesë e asaj ngjarjeje.
Nga Grykshi i Madh në Peqin deri në Porcari të Italisë, dhimbja mbetet e njëjtë. Një familje humbi jetën larg vendit të saj, ndërsa dy komunitete përballen me pasojat e një tragjedie që nxjerr sërish në pah koston njerëzore të emigrimit.
Lini një Përgjigje