TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Qershor 2026, 13:50

Tritoli pranë familjes Nikulaj në Lezhë, policia zbardh ngjarjen: 1 i arrestuar, bashkëpunëtori në kërkim

Shkruar nga Pamfleti
Tritoli pranë familjes Nikulaj në Lezhë, policia zbardh ngjarjen:
Pamje nga shpërthimi në Lezhë

Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Balldren të Vjetër, ku një sasi lënde plasëse u vendos pranë familjes Nikulaj. Si rezultat i hetimeve, një person është arrestuar, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim.

Në pranga ka rënë Astrit Avdiaj, 55 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi Ermal Zalla, 35 vjeç, banues në Krujë.

Sipas hetimeve të deritanishme, shpërthimi ndodhi në një sipërfaqe toke në Balldre dhe nuk shkaktoi dëme materiale apo persona të lënduar. Megjithatë, ngjarja ngriti dyshime të forta dhe vuri në lëvizje strukturat hetimore të Policisë së Lezhës.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor ka kryer një sërë veprimesh që çuan në identifikimin e autorëve të dyshuar, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të motivit të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim.

Njoftimi i Policisë:

"Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të ngjarjes së ndodhur dje, në fshatin Balldren i Vjetër.

Vihet në pranga njëri nga autorët e shpërthimit të lëndës plasëse.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes së datës 10.06.2026, në fshatin Balldren i Vjetër, ku në një sipërfaqe toke shpërtheu një sasi e lëndës plasëse (pa shkaktuar dëme), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 55 vjeç, banues në Tiranë.

Po në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit E. Z., 35 vjeç, banues në Krujë dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, vijon hetimi për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme".

Lini një Përgjigje