
Një tjetër rast abuzimi me detyrën është zbuluar në radhët e policisë, që çoi në ndalimin e një efektivi policie të dyshuar për fajde dhe kërcënim.
Në pranga ka rënë Nënkomisari, Edison Pema me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan.
Ai akuzohet se jepte fajde për persona të ndryshëm dhe, përmes kanosjes apo dhunës, i detyronte të kthenin shuma të mëdha parash.
"Në kuadër të operacionit “Last rent” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Elbasan, u ndalua punonjësi i policisë N/Komisar Edison Pema, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Në vijim të hetimeve të thelluara me metoda speciale u bë i mundur ndalimi i këtij punonjësi, i cili i jepte hua (fajde) personave të ndryshëm dhe më pas nëpërmjet kanosjes ose dhunës i shtrëngonte këta të fundit për kthimin e vlerave të konsiderueshme të parave.
Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 5 automjete të vitprodhimeve të fundit në pronësi të personave të ndryshëm. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale", thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje