TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Prill 2026, 12:16

U kap me armë zjarri, granata dhe municion luftarak, arrestohet 44-vjeçari në Durrës

Shkruar nga Pamfleti

U kap me armë zjarri, granata dhe municion luftarak, arrestohet

Një 44-vjeçar në Durrës është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se kishte kthyer studion e tij të tatuazheve në një bazë për grumbullimin e armatimeve të rënda, me qëllim trafikimin e tyre drejt grupeve kriminale dhe individëve me precedent penal.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 2 armë zjarri, një granatë, municion luftarak, një armë të ftohtë dhe një palë pranga.

Autoritetet kanë publikuar edhe pamje nga ndërhyrja, ku shfaqet momenti kur një agjent troket në derë dhe më pas forcat e armatosura dhe të maskuara hyjnë në ambient për të bërë arrestimin e 44-vjeçarit.

"Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 granatë, municion luftarak, 1 armë e ftohtë dhe 1 palë pranga. Arrestohet në flagrancë 44-vjeçari që i posedonte në subjektin e tij (studio tatuazhesh), dyshohet me qëllim trafikimin.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, bazuar dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Hidden line”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi V. Rr., 44 vjeç, banues në Durrës, si i dyshuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Gjatë kontrollit në subjektin e këtij shtetasi (studio tatuazhi), në lagjen nr. 4, Durrës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: -1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, 2 krehra dhe municion luftarak të kalibrave të ndryshëm, 1 armë e ftohtë (dorezë metalike), 1 palë pranga si të Policisë, mjete për pastrimin e armëve dhe 1 celular.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas i posedonte armët me qëllim trafikimin. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.

Lini një Përgjigje