
Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në burg Arben Spahiun e Arsen Preçin, të cilët u kapën me armë zjarri në makinë, me të cilat do të kryenin vrasje.
Makina u gjet në shkurt në lagjen Emin Matraxhiu në Elbasan.
Gjykata e Elbasanit vendosi masën “Arrest me burg” për Spahiun dhe Preçin në fund të shkurtit. Trupi gjykues caktoi një afat 60 ditor për prokurorin me qëllim gjetjen e provave. Ata u arrestuan pas gjetjes së mjetit, në brendësi të të cilit ishin 3 automatikë dhe dy shishe me benzinë. të akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues përballë hetuesve. Ata nuk kanë pranuar të kenë lidhje me mjetin luksoz tip “BMV X6” që u gjet në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, brenda të cilit u zbuluan tre armë kallashnikov, 2 bidonë me benzinë, por dhe për çantën ku u gjet pistoleta.
53-vjeçari, Arben Spahiu, ka pohuar se nuk ka dijeni për mjetin dhe armët. Ndërsa në lidhje me dokumentet e falsifikuara greke me fotografinë e tij, që u gjetën në afërsi të një koshi plehrash, Spahiu ka thënë se ato mund të jenë sajuar nga dikush që ka dashur t’i bëjë keq.
Ndërkohë prokuroria e Elbasanit po e heton ngjarjen si të lidhur me grupin e Erion Alibej. Nëse kjo gjë provohet, që dy te arrestuarit merrni urdhra nga Alibej, dosja do i kalojë SPAK-ut për grup te strukturuar kriminal.
Ende nuk dihet se kush ishte konkretisht shënjestra e atentatit, por nga provat e mbledhura deri më tani, hetuesit mendojnë se dy të ndaluarit mund të ekzekutonin Elton Kilën, i njohur ndryshe dhe si Oti i Elbasanit. Këtë të fundit dyshohet se tentoi të eliminonte dhe Nuredin Dumani, para se të arrestohej nga policia.