
Nikoll Sherrniku, personi që policia e prokuroria e akuzojnë se ka siguruar targat e vendosura në makinën që u përdorë në atentatin e "Don Boskos" nuk ka pranuar akuzën gjatë deklarimeve të tij.
Ai është marrë në pyetje nga grupi hetimor por ka mohuar të ketë dijeni për atentatin ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën 6 të tjerë, duke argumentuar se kur ngjarja ndodhi më mars, ai ndodhej në burg.
Pavarësisht deklaratës, burime nga policia e prokuroria thonë se ka prova të forta që e implikojnë atë dhe se targat në Gjermani janë marrë para gushtit 2022, kur u arrestua në Kune të Lezhës.
Nga veprimet hetimore hetuesit kanë dyshime se targat gjermane janë provizore që 28-vjeçari Sherrniku i kishte pasur në një automjet të blerë në Gjermani në 2020-ën. Kjo makinë me targa provizore ka hyrë në vendin tonë nga 28-vjeçari duke e sjellë nga Kosova përmes pikës kufitare të Morinës. Makina rezultonte në emër të tij.
Vrasja në 'Don Bosko', nga sa është mësuar deri më tani është bërë në shenjë hakmarrjeje nga grupi i Ervis Martinaj ndaj Fatjon Muratit, pasi dyshohet e ky i fundit ka marrë pjesë në atentatin në Fushë Krujë në 2022, me 3 të vrarë mes tyre edhe Brilant Martinaj, kushëriri i “bosit të lojërave të fatit”, i cili prej 9 gushtit rezulton i zhdukur.
Mimoza Paja, 58-vjeç u vra nga breshëria e plumbave që persona ende të paidentifikuar hodhën në drejtim të lokalit të Fajton Muratit, një person i botës së krimit, e ndërsa 6 të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre dhe 10-vjeçarja.
Lini një Përgjigje