
Policia ka zbardhur 14 vjedhje të ndodhura në banesa të ndryshme të fshatit Nartë të Vlorës. Në pranga ka rënë 52 vjeçari, Tahir Çela dhe janë vënë nën hetim një 14 vjeçar dhe Haxhi Dervishi.
Tahir Çela është arrestuar nën akuzën e vjedhjes dhe shtyrjes së të miturit në krim. 14 vjeçari është djali i Çelës.
"Nga veprimet hetimore dyshohet se Tahir Çela dhe djali i tij i mitur, përgjatë periudhës tetor 2022 deri në 11 mars 2023, në fshatin Nartë kanë kryer 14 vjedhje banesash, gjatë të cilave kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera.
Në kuadër të operacionit është vënë në pranga një shtetas dhe janë proceduar penalisht dy të tjerë, të cilët vepronin në formën e grupit për realizimin e vjedhjeve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Storm 3”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:
T. Ç., 52 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtytja e të miturit në krim”.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për djalin 14-vjeçar të shtetasit T. Ç., për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasin H. D., banues në Vlorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale“.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. Ç. dhe djali i tij i mitur, përgjatë periudhës tetor 2022 deri në 11 mars 2023, në fshatin Nartë kanë kryer 14 vjedhje banesash, gjatë të cilave kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera.
Këta shtetas sendet e vjedhura i grumbullonin në shtëpinë e shtetasit H. D, për ti shitur me qëllim përfitimin e vlerave monetare.", njofton Policia.
Lini një Përgjigje