
Arbër Paplekaj është dënuar me 22 vite burg nga Gjykata e Elbasanit, pasi akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e ndodhur pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Ish-efektivi i RENEA-s, ka qenë i pranishëm në seancën e sotme ku dëgjoi verdiktin, ndërsa ka mbërritur nën masa të rrepta sigurie në gjykatën e Elbasanit.
Gjykata e Elbasanit ka dënuar me nga 1 vit shërbim prove dy ish-nën drejtorët e komisariatit të policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi.
Ndërkohë që 6 efektivët e forcave ‘Shqiponja’, Dedion Durakun, Pëllumb Biçakun, Erion Ballën, Erion Meçjen, Donald Dedjen dhe Besmir Kadiun u dënuan me 8 muaj ‘shërbim prove’.
Avokatët e Paplekajt janë shprehur se do të apelojnë vendimin e togave të zeza. Në seancën e 29 qershorit, prokuroria kërkoi dënimin me 25 vite burg.
Kujtojmë se ngjarja e bujshme në Elbasan ndodhi 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani, një eksponent i fuqishëm lokal i lidhur me Partinë Socialiste, i cili ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS në këtë qytet.
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.
Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Struktura e Mbrojtjes së votës e ngritur nga PD pretendonte se makina e shtabit të PS-së është kapur duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës, është thirrur edhe policia.
Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Abert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vendngjarje erdhi edhe një automjet me simpatizantë të PS-së.
Në këtë moment ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit mes palëve. Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë vazhdimisht se ka qëlluar për vetëmbrojtje.
Lini një Përgjigje