TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Korrik 2025, 14:04

Vrasja e Renis Dobrës, nxirret nga liqeni i Shkopetit automjeti i 23-vjeçarit; pritet ekspertiza

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Renis Dobrës, nxirret nga liqeni i Shkopetit automjeti i
Renis Dobra

Nxirret nga uji automjeti i 23-vjeçarit të vrarë, Renis Dobra i cili u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh të Matit.

Makina e viktimës është nxjerrë nga palombarët mesditën e sotme, teksa drejt vendngjarjes shkuan edhe ekspertë të kriminalistikës. Pritet të zbardhen detaje të reja lidhur me shkakun e krimit dhe autorët e ngjarjes së rëndë.

Renis Dobra, u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit, me plagë në trup dhe fytin e nxirë. 23-vjeçari dyshohet se është rrëmbyer dhe më pas është vrarë. Ekspertiza paraprake ka nxjerrë se Renis Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar. 

Të riun e kanë hedhur bashkë me makinën tip “Benz” në liqen, por gjatë kohës që makina binte poshtë, trupi ka dalë nga makina pak metra pa rënë në ujë.

Hetimet janë përqendruar në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nga kamerat e sigurisë gjatë rrugës është fiksuar një automjet që shoqëronte makinën e Renis Dobrës, nga fshati Zenisht deri në qytetin e Burrelit. Ndërkohë, nga Burreli deri tek vendi ku u gjet trupi i viktimës raportohet se nuk ka kamera sigurie.

I riu u denoncua i zhdukur nga babai i tij në polici, pasi nuk u kthye më në banesë. Ai shkoi në polici rreth orës 21:30 të mbrëmjes së të martë (8 Korrik) ku ka deklaruar se prej tre orësh nuk kishte asnjë kontakt me të birin. Pas orësh kërkime trupi i pajetë i viktimës u gjet ditën e djeshme pranë liqenit të Shkopetit.

 

Lini një Përgjigje