TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Mars 2023, 15:41

Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon 32 vite burg për Ilir Selmanin dhe Elvis Gacajn

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon 32 vite burg për Ilir Selmanin

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën ditën e sotme për dy prej personave të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko.

SPAK ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për Ilir Selmanin dhe me 7 vite burg për Elvis Gacajn.

Ish-punonjësi i policisë së kryeqytetit mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së 26-vjeçarit Santiago Malko u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje. I riu ishte një emër i njohur për autoritetet. Ai në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit.

Dyshimet janë se 26-vjeçari u ekzekutua për hakmarrje, pasi mendohet se ishte përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit, një ngjarje që është zbatuar me të njëjtin mekanizëm siç u vra edhe Malko. Për këtë atentat, është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta, ndërsa të shpallur në kërkim janë edhe shtetasit Erlis Duka, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

Ilir Selmani rezulton se është prej disa vitesh pjesë e klanit ‘Duka’ që njihet ndryshe edhe si banda e romëve. Në organizimin e vrasjes së Santiago Malkos, Selmani, sipas të dhënave të dosjes hetimore, ka kthyer makinën në momentin që e ka udhëzuar Leonard Duka. Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre, Malkon. Ata janë kthyer dhe janë ndaluar pikërisht në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Ndërkohë që në disa pamje të dala së fundmi në media, Ilir Selmani shfaqet teksa mbledh bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, njeriu që mendohet se survejoi lëvizjet e ish-policit Santiago Malko. Selmani mbledh bishtat duke i hedhur në një kazan mbeturinash për të zhdukur çfarëdolloj prove që mund të ishte e rrezikshme dhe të identifikonte grupin.

santiago malko spak pretence

Lini një Përgjigje